Aspekti financiar duket të ketë qenë një nga arsyet kryesore që Mirlind Daku vendosi ta vazhdojë karrierën në futbollin rus.
Sulmuesi kosovar është pranë transferimit nga Rubin Kazani te Spartak Moska, marrëveshje që pritet t’i sjellë fitime shumë të mëdha gjatë viteve të ardhshme.

Sipas mediave ruse, Daku do të përfitojë rreth 3.75 milionë euro në vit. Nga kjo shumë, 2.5 milionë euro do të jenë pagë fikse, ndërsa 1.25 milionë euro do t’i marrë si bonus vjetor për besnikëri ndaj klubit, shkruan Sports.ru.
Përveç kësaj, 27-vjeçari do të arkëtojë edhe një bonus prej 1.5 milionë eurosh vetëm për nënshkrimin e kontratës me Spartakun.
Marrëveshja parashikohet të jetë trevjeçare, me opsion për vazhdim edhe për një sezon tjetër. Nëse e respekton kontratën deri në fund, Daku mund të përfitojë deri në 16.5 milionë euro, një shifër që e bën këtë transferim ndër më fitimprurësit në karrierën e tij.
Spartak Moska pritet ta transferojë sulmuesin duke aktivizuar klauzolën e lirimit prej 11 milionë eurosh, të vendosur në kontratën e tij me Rubin Kazanin.
Edhe te Rubini, Daku ishte një nga futbollistët më të paguar të skuadrës, por kalimi te Spartaku do t’i sigurojë të ardhura edhe më të mëdha.
Megjithatë, transferimi i tij nuk është pritur mirë nga një pjesë e tifozëve të Spartak Moskës, të cilët kanë shprehur publikisht kundërshtimin ndaj afrimit të sulmuesit kosovar. /Telegrafi/





