“Është dhimbje, pikëllim e mundim të shohësh se si 27 vjet pas përfundimit të luftës, e vërteta që u përpoqën ta heshtin e zhdukin, bërtet dhe sa ishin ne aty u zbuluan edhe disa kocka të reja meqenëse gërmimet po vazhdojnë”, ka thënë Kurti.
Ai falënderoi Institutin e Mjekësisë Ligjore, ekspertët e forenzinkës, antropologët dhe ata të EULEX-it për punën që po e bëjnë, ndërsa tha se e kanë mbështetjen e plotë të qeverisë, shtetit të Kosovës.

“…E kanë mbështetjen e plotë të qeverisë, shtetit në mënyrë që ankthi, vuajta e familjeve të cilët ende i kanë më të dashurit e tyre të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë të marr fund edhe për këto familje, për të cilat ende nuk ka përfunduar lufta dhe më në fund të munden që në paqe dhe të qetë të kenë varre të dinjitetshme për ata që u vranë në pranverën e 1999 vetëm për shkak të identitetit të tyre kombëtar shqiptar”, tha Kurti, raporton Telegrafi.
Kryeministri tutje theksoi se duhet të priten analizat e ADN-së, por sipas tij me shumë gjasë bëhet fjalë për shqiptarë të njohur si Grupi i Intelektualëve, ku 23 persona më 19 prill u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat e Serbisë.
“… u rrëmbyen, u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, të cilët nuk u mjaftuan me këtë krim mizor por u orvaten që t’i zhdukin gjurmët e krimit të tyre, andaj në këtë vend që po e shihni se deri tek varreza masive nuk arrihet me veturë ta varrosin të vërteten e tyre si ekzekutorë të një projekti gjenocidal që synonte shfarosjen e shqiptarëve”, u shpreh Kurti.
Kryeministri në detyrë tha më tej se gërmimet do të vazhdojnë me javë, ndoshta edhe për shumë muaj meqenëse eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe buzë një përroi. /Telegrafi/





