Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar se sot janë nënshkruar marrëveshje të reja bashkëpunimi me 12 biznese lokale, të cilat kanë hapur mundësi punësimi për 13 bashkëqytetarë me aftësi të kufizuara.
Sipas Hysenit, projekti është realizuar nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe mbështetet nga Komuna me rreth 40 mijë euro.
Përmes këtyre marrëveshjeve, bizneset partnere do t’u ofrojnë mundësi punësimi bashkëqytetarëve me aftësi të kufizuara, duke kontribuar në krijimin e mundësive të barabarta dhe integrimin e tyre ekonomik.
Hyseni ka theksuar se ky angazhim është pjesë e politikave sociale që synojnë një shoqëri më gjithëpërfshirëse, ndërsa është theksuar edhe rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet sektorit privat, institucioneve komunale dhe atyre qendrore.
“Bashkëpunimi mes sektorit privat, nivelit komunal dhe atij qendror mbetet rruga kryesore për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, ku përfshirja është përgjegjësi e përbashkët institucionale”, thuhet në njoftim.
Komuna ka falënderuar bizneset që iu bashkuan kësaj iniciative, duke e cilësuar atë si një hap drejt fuqizimit të personave me aftësi të kufizuara dhe krijimit të një tregu pune më të hapur për të gjithë. /Telegrafi/






