Me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, institucionet kompetente kanë nisur procesin e zhvarrosjes (ekshumimit) në një lokacion në komunën e Zubin Potokut, me qëllim identifikimin e mbetjeve mortore.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, aktiviteti po zhvillohet në kuadër të dy rasteve të hetimit penal që udhëhiqen nga ky institucion.

Në kuadër të këtij procesi, të martën janë ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar me inicialet M.J. dhe M.B.
Prokuroria ka bërë të ditur se procesi i ekshumimit po zbatohet në përputhje me urdhrin gjyqësor, standardet profesionale dhe ato ndërkombëtare për identifikimin e mbetjeve mortore dhe ruajtjen e provave.
Në këtë proces janë të përfshira institucionet përgjegjëse dhe ekspertët përkatës.
“Informacionet e mëtejshme do të bëhen publike vetëm në masën që nuk cenojnë integritetin e procedurës penale, procesin e identifikimit dhe të drejtat e familjarëve të viktimave”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale ka theksuar se institucionet mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre.





