“E ke një shtëpi të dytë aty”, Prenga fton Joshuan në Shqipëri – britaniku befason me komentin

Sport

Ylli britanik i boksit, Anthony Joshua, ka ndarë me ndjekësit e tij momente nga përballja me Kristian Prengën, duke veçuar respektin dhe miqësinë e krijuar pas duelit. Në pamjet e publikuara nga Joshua, shihet momenti kur ai vendos mbi krahë flamurin shqiptar, ndërsa gjithashtu shfaqet në shoqërinë e familjarëve të Prengës, të cilët ishin të […]

Madhësia e shkronjave

Ylli britanik i boksit, Anthony Joshua, ka ndarë me ndjekësit e tij momente nga përballja me Kristian Prengën, duke veçuar respektin dhe miqësinë e krijuar pas duelit.

Në pamjet e publikuara nga Joshua, shihet momenti kur ai vendos mbi krahë flamurin shqiptar, ndërsa gjithashtu shfaqet në shoqërinë e familjarëve të Prengës, të cilët ishin të veshur me veshje tradicionale shqiptare.

Joshua ka vlerësuar rëndësinë e sportit përtej rezultatit, duke theksuar se respekti mes kundërshtarëve është një nga vlerat më të mëdha që sjell boksi.

“Gjëja më e madhe që krijon sporti nuk është gjithmonë fituesi, por respekti i ndërsjellë mes personave që kanë fituar respektin e njëri-tjetrit. Kjo është trashëgimia e vërtetë e sportit”, ka shkruar Joshua.

Në videon e publikuar, britaniku falënderoi edhe prindërit e Kristian Prengës për mundësinë që u krijua për këtë përballje.

“Dua t’ju falënderoj që më dhatë mundësinë të luftoj me djalin tuaj. Ishte një ndeshje e madhe. Të dy dhamë më të mirën dhe ju vlerësoj juve, ekipin dhe Prengën”, u shpreh Joshua.

Edhe Kristian Prenga kishte një mesazh për kundërshtarin e tij, duke e vlerësuar si një legjendë të këtij sporti dhe duke e ftuar të vizitojë Shqipërinë.

“Jam krenar që ndava ringun me ty. Të kam thënë se je legjendë. Të uroj më të mirën ty dhe familjes tënde. Je i mirëseardhur në Shqipëri, e ke një shtëpi të dytë aty”, ka thënë Prenga.

Kujtojmë se Joshua fitoi në raundin e dytë ndaj Prengës me nokaut, pasi i rezistoi një raundi të parë mjaft të fortë nga ana e boksierit shqiptar./Telegrafi/