Atmosfera në Zone Club mbrëmjen e së hënës u ndez nga performanca e përbashkët e Dhurata Dorës dhe Gjestit, të cilët interpretuan për herë të parë para publikut bashkëpunimin e tyre më të ri.
Përveç performancës, një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte mesazhi i këngëtares drejtuar Gjestit.

Para publikut, Dhurata e përgëzoi artistin për rrugëtimin e tij, duke theksuar se ai e meriton suksesin që ka arritur dhe se mezi pret që publiku ta dëgjojë këngën e re.
“E meriton gjithë suksesin që ke dhe mezi pres të dalë kënga nesër”, u shpreh ajo nga skena.
Ndërkohë, dy artistët kanë konfirmuar edhe zyrtarisht lansimin e projektit përmes një postimi të përbashkët në Instagram.
Ata njoftuan se kënga, e titulluar “Gasolina”, do të publikohet sonte në orën 18:00.
Interesimi për këtë bashkëpunim ka qenë i madh prej muajsh, sidomos pasi një fragment i këngës u shpërnda në TikTok dhe u bë viral.
“Gasolina” ishte paraparë të publikohej gjatë verës së kaluar, por lansimi u shty për shkak të rrethanave që lidhen me Gjestin në atë periudhë. /Telegrafi/





