Ai ishte kapiteni i PSG-së dhe kampion bote: Tani, në moshën 31 vjeç, luan në ligën e dytë të Katarit

Sport

Mbrojtësi francez Presnel Kimpembe po vazhdon karrierën e tij në Katar, por nga sezoni i ardhshëm do të luajë në kategorinë e dytë të futbollit atje, pasi ka nënshkruar me klubin Al-Kharaitiyat. 30-vjeçari është larguar nga Qatar SC, skuadër për të cilën bëri vetëm 11 paraqitje sezonin e kaluar, raporton Goal.com. Klubi i ri i […]

Madhësia e shkronjave

Mbrojtësi francez Presnel Kimpembe po vazhdon karrierën e tij në Katar, por nga sezoni i ardhshëm do të luajë në kategorinë e dytë të futbollit atje, pasi ka nënshkruar me klubin Al-Kharaitiyat.

30-vjeçari është larguar nga Qatar SC, skuadër për të cilën bëri vetëm 11 paraqitje sezonin e kaluar, raporton Goal.com.

Klubi i ri i mbrojtësit francez e ka konfirmuar zyrtarisht transferimin. “Klubi ynë konfirmon zyrtarisht ardhjen e mbrojtësit francez Presnel Kimpembe me një marrëveshje njëvjeçare. Ai na bashkohet nga Qatar Sports Club për sezonin e ardhshëm”, thuhej në njoftimin e klubit.

Në komunikatën e tij, Al-Kharaitiyat kujtoi edhe rrugëtimin e Kimpembes në futbollin e Katarit.

“Kimpembe mbërriti te Qatar Sports Club në shtator të vitit 2025 nga Paris Saint-Germaini francez dhe sezonin e kaluar luajti për ekipin në ligën e Katarit”, thuhej më tej në njoftim.

Kimpembe u bashkua me akademinë e Paris Saint-Germainit në vitin 2005, kur ishte ende fëmijë, ndërsa debutimin me ekipin e parë e bëri në vitin 2014.

Që nga atëherë, ai regjistroi 241 paraqitje me fanellën e klubit francez dhe ishte pjesë e një prej periudhave më të suksesshme në historinë e PSG-së, duke fituar 24 trofe, përfshirë tetë tituj të Ligue 1.

Ai do të mbahet mend veçanërisht për stilin e tij agresiv dhe pa kompromis në mbrojtje, për besnikërinë ndaj klubit parisien dhe faktin se ishte një prej futbollistëve të rrallë të dalë nga akademia e PSG-së që arriti të bëhej titullar në një skuadër të mbushur me yje botërorë.

Vitet e fundit, dëmtimet kanë ndikuar në ritmin e tij, por Kimpembe ka mbetur gjithmonë një figurë me peshë në dhomën e zhveshjes dhe një prej lojtarëve që përfaqësonte identitetin e klubit francez.

Në nivel ndërkombëtar, mbrojtësi ka 28 paraqitje me kombëtaren e Francës dhe ishte pjesë e skuadrës që fitoi Kupën e Botës në vitin 2018 në Rusi. /Telegrafi/