Partia Demokratët Evropianë (European Democrats Party – EDP) ka kundërshtuar propozimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Evropian si një bllok i vetëm.
Përmes një reagimi publik, sekretari i përgjithshëm i EDP-së, Sandro Gozi, theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është bazuar gjithmonë në meritat individuale të secilit shtet kandidat dhe jo në qasje kolektive.
Sipas tij, vendet që zbatojnë reformat nuk duhet të pengohen nga ato që ecin në drejtim të kundërt.
“Vendet që zbatojnë reformat duhet të lejohen të ecin përpara”, tha Gozi.

Ai shtoi se presidenti Vuçiq nuk mund ta përdorë rajonin për të mbuluar dështimet e tij politike apo për të penguar perspektivën evropiane të vendeve fqinje.
“Presidenti Vuçiq nuk mund ta përdorë rajonin si mburojë për dështimet e tij apo ta mbajë peng të ardhmen evropiane të fqinjëve të tij”, deklaroi Gozi.
Në reagim thuhet gjithashtu se rruga drejt Bashkimit Evropian u takon atyre vendeve që respektojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe vlerat evropiane, e jo atyre që i minojnë ato.
“Rruga evropiane u përket atyre që mbrojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe vlerat evropiane, jo atyre që i minojnë ato”, thuhet në deklaratën e Demokratëve Evropianë.
Dy vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Mali i Zi, e kanë vazhduar përparimin e tyre në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), duke mbyllur kapituj të tjerë negociues të martën në Bruksel.
Shqipëria i mbylli tre kapituj gjatë konferencës të martën: Kapitulli 25 – Kërkimi Shkencor, Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitulli 31 – Marrëdhëniet me Jashtë. Ndërsa, Mali i Zi i ka mbyllur përkohësisht dy kapituj: Kapitulli 8 – Konkurrenca dhe Kapitulli 29 – Bashkimi Doganor.
Kjo do të thotë se Mali i Zi tani ka gjithsej 18 kapituj të mbyllur përkohësisht nga gjithsej 33 në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, për Shqipërinë kjo është hera e parë që mbyll kapituj në rrugën e saj për t’u bërë pjesë e bllokut evropian.





