Lëndimet e syrit te të rinjtë dhe personat që punojnë në profesione të ndryshme fizike mbeten një shqetësim serioz, sidomos kur ato ndodhin për shkak të mungesës së mjeteve mbrojtëse në vendin e punës.
Për këtë problem ka folur oftalmologu dhe kirurgu i syrit, Naser Salihu në podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital.
Sipas tij, te të rinjtë në Kosovë një nga problemet që haset më shpesh janë lëndimet fizike të syrit, të cilat në shumë raste mund të parandalohen me edukim dhe me përdorimin e pajisjeve mbrojtëse.

Ai tregoi se gjatë përvojës së tij në vende të ndryshme të Evropës ka parë shumë më pak raste të lëndimeve të syrit, ndërsa në Kosovë ato paraqiten më shpesh, sidomos gjatë sezonit të verës.
“Gjatë edukimit tim në vende të ndryshme nëpër Evropë, unë shumë pak kam parë lëndime. Këtu gjatë një kujdestarie kanë ndodhur gjashtë pacientë, kanë ardhur njëri pas tjetrit, sidomos në kushtet e verës”, u shpreh ai.
Sipas Salihut, pjesa më shqetësuese është se këto lëndime prekin kryesisht persona të rinj, të moshave aktive për punë, për të cilët shikimi është i domosdoshëm në jetën e përditshme dhe profesionale.
“Shumica janë të rinj, diku mosha tetëmbëdhjetë deri në dyzet, dyzet e pesë, pesëdhjetë vjeçare, pjesa ku pacientët janë ose duhet të jenë më aktivë, kur pamja është më se e domosdoshme për t’i realizuar punët”, tha ai.
Oftalmologu theksoi se shumë prej këtyre rasteve lidhen me mungesën e edukimit profesional dhe me mosrespektimin e masave mbrojtëse në punë.
Ai përmendi veçanërisht personat që punojnë me hekur, salduesit dhe ata që kryejnë prerje apo përpunim materialesh pa syze mbrojtëse.
“Shumica nuk ka edukim të caktuar për punën që e kryejnë, merren me përpunimin e hekurave të ndryshëm, me prerje, nuk ka pajisje mbrojtëse, fare nuk ekzistojnë”, deklaroi Salihu.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:





