Një hetim i gjerë ndërkombëtar, i koordinuar nga grupi operativ i Europolit, ka çuar në shkatërrimin e një rrjeti të organizuar kriminal që merrej me kontrabandën e migrantëve përgjatë rrugës ballkanike.
Autoritetet serbe, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese të Bullgarisë, arrestuan pesë të dyshuar, përfshirë drejtuesin e grupit dhe dy policë aktivë.
Rrjeti, me bazë në Pirot të Serbisë, dyshohet se nga janari deri në korrik të vitit 2026 ka kontrabanduar të paktën 201 migrantë, kryesisht shtetas afganë, nga Turqia përmes Bullgarisë dhe Serbisë drejt vendeve të Evropës Perëndimore.
Gjatë operacionit u sekuestruan tre automjete të përdorura për transportin e migrantëve, armë zjarri, municion, radiolidhje, telefona celularë, si dhe rreth 5.700 euro dhe 40 mijë dinarë serbë.
Sipas hetimeve, rrjeti kishte funksionuar që nga viti 2025. Migrantët transportoheshin nga Turqia në Bullgari, më pas kalonin ilegalisht kufirin drejt Serbisë duke ndjekur koordinata GPS të përcaktuara paraprakisht, ku i prisnin anëtarët e grupit kriminal. Ata u siguronin strehim të përkohshëm dhe transport të mëtejshëm.
Çmimi për transportin nga kufiri bullgar deri në Beograd ishte 1000 euro për person, ndërsa edhe 300 euro të tjera paguheshin për rrugën deri në kufirin me Hungarinë. Pagesat kryheshin kryesisht përmes sistemit informal të transferimit të parave Hawala.
Në suksesin e operacionit kontribuoi bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet policive të rajonit. Katër hetues bullgarë u dërguan në Serbi për të mbështetur aksionin, ndërsa Europol angazhoi një ekspert të specializuar në ditën e operacionit. /Telegrafi/






