Lionel Messi është vetëm një ndeshje larg një tjetër kapitulli historik në karrierën e tij. Me kualifikimin e Argjentinës në finalen e Kupës së Botës 2026, kapiteni i “Albicelestëve” do të luajë finalen e tretë të Botërorit, duke u bërë vetëm futbollisti i dytë në histori që e arrin këtë si titullar, pas legjendës braziliane Cafu.
Kampionët në fuqi të botës siguruan një tjetër finale radhazi dhe tani do të përballen me Spanjën në luftën për trofeun.
Përtej mundësisë për të mbrojtur titullin, Messi është pranë një rekordi që për shumë vite është konsideruar i paarritshëm.
Rrugëtimi i Cafu në finalet e Kupës së Botës nisi në vitin 1994, në Shtetet e Bashkuara, kundër Italisë. Në atë kohë ishte vetëm 24 vjeç dhe e nisi finalen në bankën rezervë, por një dëmtim i hershëm i Jorginhos e detyroi të hynte në lojë gjatë pjesës së parë.
Ai përfundoi ndeshjen dhe ngriti trofeun e katërt botëror të Brazilit, pas finales së fituar me penallti.
Katër vite më vonë, në Francë 1998, Cafu ishte tashmë një nga shtyllat e përfaqësueses braziliane. Megjithatë, Brazili u mposht në finale nga Franca e Zinedine Zidane, duke mbetur pa trofe.
Kulmi i karrierës së tij erdhi në Kupën e Botës 2002 në Kore dhe Japoni. Me shiritin e kapitenit në krah, Cafu udhëhoqi Brazilin drejt triumfit 2:0 ndaj Gjermanisë, duke ngritur Kupën e pestë të Botës për “Seleçaon”.
Me atë finale ai u bë lojtari i vetëm në histori që luajti në tri finale radhazi të Kupës së Botës, një rekord që vazhdon të qëndrojë edhe sot.
Messi pranë një tjetër arritjeje historike
Lionel Messi tashmë ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Botërorit. Argjentinasi ka marrë pjesë në gjashtë Kupa Bote, një arritje që e ndan me emra si Cristiano Ronaldo dhe Guillermo Ochoa.
Ai debutoi në skenën më të madhe të futbollit në moshën 18-vjeçare dhe, dy dekada më vonë, vazhdon të jetë lideri absolut i Argjentinës.
Finalja e tij e parë erdhi në Brazil 2014, ku Argjentina u mposht 1:0 nga Gjermania pas kohës shtesë, në një nga humbjet më të dhimbshme të karrierës së tij.
Megjithatë, futbolli ia shpërbleu pritjen tetë vite më vonë. Në Katar 2022, pas një prej finaleve më spektakolare në historinë e Kupës së Botës dhe një dueli të paharrueshëm me Kylian Mbappen, Messi udhëhoqi Argjentinën drejt titullit të tretë botëror.
Tani, në Kupën e Botës 2026, ai do të luajë finalen e tretë të karrierës, duke u bashkuar me Cafun në një rekord që për shumë vite dukej i paarritshëm.
Edhe pse emra legjendarë si Ronaldo Nazário, Pelé, Lothar Matthäus dhe Pierre Littbarski kanë qenë pjesë e tri finaleve të Kupës së Botës, asnjëri prej tyre nuk luajti në të tria si protagonist në fushë. Në një prej finaleve ata mbetën në stol ose nuk u aktivizuan për shkak të moshës apo dëmtimeve.
Pikërisht kjo e bën arritjen e Cafut unike dhe është arsyeja pse Messi është tani pranë barazimit të një rekordi që ka mbijetuar për më shumë se dy dekada.
Të dielën, përballë Spanjës, do të vendoset jo vetëm kampioni i ri i botës, por edhe një tjetër kapitull i historisë së futbollit. Çfarëdo që të ndodhë në finale, Lionel Messi tashmë e ka gdhendur emrin e tij mes legjendave më të mëdha që ka njohur ndonjëherë ky sport. /Telegrafi/






