SC Gjilani ka vazhduar me përforcimet për sezonin e ri, duke zyrtarizuar arritjen e marrëveshjes me portierin Marijan Coric, i cili vjen nga Llapi.
Klubi bardhekuq ka njoftuar se Coric nga sot është pjesë e skuadrës gjilanase me kontratën e nënshkruar deri në vitin 2028, teksa pritet të sjellë më shumë konkurrencë dhe alternativa për portën e Gjilanit.
Sipas komunikatës së klubit, synimi është të ndihmojë ekipin në realizimin e objektivave gjatë sezonit të ardhshëm.
“Me cilësitë, përvojën dhe mentalitetin konkurrues që sjell, Coric vjen për të rritur konkurrencën brenda ekipit dhe për të kontribuar në realizimin e objektivave të Sport Club Gjilanit”, thuhet në njoftimin e klubit.
Gjilani i ka uruar mirëseardhje lojtarit të ri, duke shprehur besimin se ai do të ketë rol të rëndësishëm me fanellën kuqe e bardhë.
“Mirë se erdhe në Gjilan, Marijan! Suksese me ngjyrat kuq e bardhë!”, përfundon komunikata e klubit. /Telegrafi/






