​Incidenti në Magurë, Daut Haradinaj viziton veteranin Bekim Metajn

Nacionale

Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj ka vizituar Bekim Metajn, veteran i Ushtrisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si “simbol të dinjitetit kombëtar e historik”. Haradinaj tha se Metaj, pas 25 vitesh shërbim në uniformë, u përball në Magurë të Lipjanit me 21 persona të ardhur nga Serbia, për të cilët përdori termin “kriminelë”, duke […]

Madhësia e shkronjave

Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj ka vizituar Bekim Metajn, veteran i Ushtrisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si “simbol të dinjitetit kombëtar e historik”.

Haradinaj tha se Metaj, pas 25 vitesh shërbim në uniformë, u përball në Magurë të Lipjanit me 21 persona të ardhur nga Serbia, për të cilët përdori termin “kriminelë”, duke pretenduar se tre prej tyre kishin qenë pjesë e formacioneve paramilitare serbe gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit.

” Siç edhe e do tradita ai nuk u ligështua për asnjë moment, i përkrahur nga familja dhe fshati i tij arriti t’i neutralizojë këto mbeturina, tre prej të cilëve ishin pjesë e paramilitarëve serbë të kohës së Millosheviqit”, ka shkruar Haradinaj.

Ai bëri të ditur se gjatë vizitës, së bashku me Gazin, Binakun dhe Kushtrimin, i shprehën Bekim Metajt dhe familjes së tij mbështetje dhe konsideratë.

Haradinaj gjithashtu kritikoi institucionet, duke deklaruar se “shteti nuk duhet të heshtë përballë këtij fenomeni që vetë e krijoi”.

Ngjarja në Magurë të Lipjanit ka nxitur reagime të shumta ditët e fundit, ndërsa autoritetet janë duke trajtuar rastin sipas procedurave ligjore.

Dje, banorët e Magurës së Lipjanit kanë nënshkruar një peticion, përmes të cilit kërkojnë që personat e përfshirë në incidentin e fundit në fshat të mos lejohen të kthehen më në Magurë.

Peticioni u nënshkrua gjatë një takimi të mbajtur me banorët, ku u diskutuan zhvillimet e fundit lidhur me incidentin në të cilin mbeti i lënduar veterani i UÇK-së, Bekim Meta. Në përfundim të takimit u vendos që peticioni t’i dorëzohet Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë.

Incidenti kishte ndodhur katër ditë më parë, kur, sipas dyshimeve, një grup personash nga komuniteti rom sulmuan Skënder Shahinin para shtëpisë së tij, si dhe veteranin e luftës së UÇK-së, Bekim Meta.

Gjykata në Lipjan vendosi masë të arrestit shtëpiak për veteranin dhe invalidin e luftës së UÇK-së, Bekim Meta dhe për Skendër Shahinin, palë të përfshira në incident. /Telegrafi/