​Deputeti shqiptar në Mal të Zi: Mandiq po e parqet padrejtësisht një vendim institucional si “provokim të Kurtit”

Nacionale

Deputeti i Aleancës Shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, Ilir Capuni, ka reaguar lidhur me debatet e fundit për ndalimin e hyrjes në Kosovë të disa zyrtarëve malazezë, duke theksuar se vendimet e institucioneve të Kosovës duhet të respektohen si vendime të një shteti sovran. Në një postim në Facebook, Capuni tha se nuk […]

Madhësia e shkronjave

Deputeti i Aleancës Shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, Ilir Capuni, ka reaguar lidhur me debatet e fundit për ndalimin e hyrjes në Kosovë të disa zyrtarëve malazezë, duke theksuar se vendimet e institucioneve të Kosovës duhet të respektohen si vendime të një shteti sovran.

Në një postim në Facebook, Capuni tha se nuk ka krijuar përshtypjen se dikush nga Republika e Kosovës ka pasur qëllim t’i prishë marrëdhëniet me Malin e Zi.

“Si përfaqësues i Aleancës Shqiptare, nuk e kisha përshtypjen se dikush nga Republika e Kosovës donte t’i prishte marrëdhëniet në Mal të Zi. Në të kundërtën, mirëkuptimi im është se organet kompetente të Kosovës kanë vlerësuar se ekzistojnë arsye sigurie për veprim parandalues në raport me personat konkret”, ka shkruar ai.

Sipas Capunit, mund të ketë diskutime nëse vlerësimi i institucioneve të Kosovës ka qenë i drejtë ose jo, por kjo mbetet çështje e vendimmarrjes së autoriteteve të një shteti sovran.

Ai theksoi se Kosova ka vepruar përmes institucioneve të saj dhe brenda juridiksionit të vet.

“Ndërsa presim që të gjithë të respektojnë vendimet e institucioneve të Malit të Zi, kështu duhet respektuar edhe e drejta e vendeve të tjera për të marrë vendime në përputhje me ligjet e tyre”, ka përfunduar Capuni.

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka deklaruar se pas vendimit për t’ia ndaluar hyrjen në Kosovë kryetarit të Komunës së Nikshiqit, Marko Kovaçeviq, dhe kryetares së Kuvendit Komunal të Beranës, Vidi Ivanoviq, qëndron kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Sipas një njoftimi të partisë Nova Srpska Demokratija (NSD), të cilën e udhëheq Mandiq, ai tha se edhe deputetët e partive shqiptare në Mal të Zi e kanë kuptuar se “dikush dëshiron të prishë marrëdhëniet ndërmjet politikanëve serbë dhe shqiptarë në Mal të Zi”. /Telegrafi/