Dhëmbët e shtrembër nuk janë vetëm një problem estetik. Sipas specialistes së ortodoncisë, Pasionare Xharra-Budima, pozicionimi i parregullt i dhëmbëve mund të ndikojë edhe në funksione të rëndësishme të gojës, përfshirë të folurin dhe mirëmbajtjen e higjienës orale.
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital ajo shpjegoi se trajtimi ortodontik nuk synon vetëm përmirësimin e buzëqeshjes, por edhe rikthimin e funksionit normal të kafshimit.

“Edhe nëse estetikisht nuk i pengon pacientit, është mirë që dhëmbët të drejtohen, sepse higjiena mbahet më lehtë. Kur kemi dendësi të dhëmbëve, pllaku dental grumbullohet më lehtë dhe pastrimi bëhet më i vështirë”, tha Xharra-Budima.
Ajo theksoi se në raste të caktuara, pozicioni i gabuar i dhëmbëve ndikon drejtpërdrejt edhe në shqiptimin e tingujve.
“Nëse personi nuk mund t’i takojë dhëmbët siç duhet, tingujt që formohen mes dhëmbëve apo buzëve nuk prodhohen si duhet. Kjo ndikon në funksionin e të folurit”, u shpreh ajo.
Sipas ortodontes, drejtimi i dhëmbëve përmirëson jo vetëm pamjen estetike, por edhe funksionin e përtypjes, të folurit dhe shëndetin oral në përgjithësi.
“Ne mundohemi t’ua shpjegojmë pacientëve se ortodoncia nuk është vetëm estetikë. Ajo ndikon në funksion, në higjienë dhe në cilësinë e jetës”, tha Xharra-Budima.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:





