Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj, Visar Azemi, ka reaguar lidhur me kërkesat e disa degëve të partisë për dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ai ka thënë se nuk është koha që mungesa e përgjegjësisë në nivel lokal të mbulohet me kërkesa publike për largimin e kryetarit të partisë.
“Nuk është as koha e as mënyra që mungesa e përgjegjësisë për rezultatet e dobëta nëpër degë të maskohet me kërkesa publike për dorëheqjen e Kryetarit të Partisë. Secili duhet së pari ta bëjë llogarinë para anëtarësisë së vet dhe të pyesë veten nëse ka bërë mjaftueshëm për ta bërë LDK-në më të fortë në zgjedhjet e fundit”, ka deklaruar Azemi.
Ai ka theksuar se në zgjedhjet e fundit shumë anëtarë kanë kontribuar me përkushtim të madh, dhe sipas tij, duhet më shumë reflektim dhe mirënjohje për këtë angazhim.
“Në këto zgjedhje, shumë njerëz punuan me mish e me shpirt për rritjen e LDK-së. Prandaj është zhgënjyese kur, në vend të reflektimit dhe mirënjohjes ndaj këtij angazhimi, dikush zgjedh ta dëmtojë LDK-në nga brenda”, ka shtuar ai.
Azemi ka shprehur mbështetje për kryetarin aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se proceset demokratike brenda partisë janë zhvilluar dhe se tani është koha për unitet dhe ecje përpara.
“Unë i jap mbështetje të plotë Kryetarit Lumir Abdixhiku dhe procesit të bashkimit të madh të LDK-së… tani kemi detyrimin të ecim përpara”, ka deklaruar Azemi.
Në fund, ai ka bërë thirrje për bashkim dhe fokus në forcimin e partisë, duke theksuar se energjitë duhet të drejtohen drejt qytetarëve dhe jo konflikteve të brendshme. /Telegrafi/






