Protestuesit u mblodhën sot sërish në sheshin “Skënderbej” në ditën e 21-të radhazi në protestën kundër zhvillimit të projektit turistik në Zvërnec.
Protestës sot i janë bashkuar edhe protestues të ardhur nga diaspora.

Pas qëndrimit në sheshin “Skëndërbej”, protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë. Fillimisht, pasi u mblodhën në sheshin përpara Kryeministrisë, u këndua himni kombëtar, ndërsa më tej morën fjalën qytetarë dhe aktivistë të protestës.
Me pankarta dhe flamuj në duar ata përsëritën thirrjet e tyre për ndalimin e zhvillimit të projektit turistik në Zvërnec. Në një pankartë i kërkohej kryeministrit dorëheqja deri më 21 qershor 2026, në të kundërt revolucioni do të i jetë i dhunshëm.
Protestuesit kanë parashtruar pesë kërkesa kryesore: dorëheqjen e kryeministrit; shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë; shfuqizimin e Paketës së Maleve; anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura; si dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.





