Thomas Partey humb ndeshjen hapëse të Ganës në Kupën e Botës, Kanadaja i refuzon hyrjen
Mesfushori i Ganës, Thomas Partey, nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e parë të ekipit të tij në Kupën e Botës, pasi një gjykatë kanadeze ka hedhur poshtë ankesën e tij kundër vendimit që i ndalon hyrjen në Kanada.
Vendimi u mor të martën dhe do ta lërë ish-futbollistin e Arsenalit jashtë përballjes së Grupit L kundër Panamasë. Në të njëjtin grup bëjnë pjesë edhe Anglia dhe Kroacia, të cilat ndeshjen e tyre të parë do ta zhvillojnë të mërkurën në Dallas.
Megjithatë, Partey nuk pritet të humbasë pjesën tjetër të turneut. Ndryshe nga Kanadaja, autoritetet amerikane i kanë dhënë vizë futbollistit të Villarrealit, duke i mundësuar pjesëmarrjen në dy ndeshjet e mbetura të fazës së grupeve. Gana do të përballet me Anglinë më 23 qershor në Boston, ndërsa më 27 qershor do të luajë ndaj Kroacisë në Filadelfia.
Avokatja e tij, Mackeda Bramwell, kishte shprehur shpresën për një vendim pozitiv para Gjykatës Federale në Ottawa, por apelimi nuk rezultoi i suksesshëm. Ajo kishte bërë të ditur paraprakisht se klienti i saj nuk do të paraqiste një ankesë të re në rast të një vendimi negativ.
Partey po përballet me një proces të gjatë gjyqësor në Angli. Në korrik të vitit 2025, ai u akuzua nga Policia Metropolitane e Londrës për pesë raste përdhunimi dhe një sulm seksual. Futbollisti u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat në shtator të atij viti.
Në shkurt të vitit 2026, ndaj tij u ngritën edhe dy akuza të tjera për përdhunim, të lidhura me një grua të katërt. Edhe për këto akuza, mesfushori ganez u deklarua i pafajshëm.
Sipas autoriteteve britanike, veprat e dyshuara kanë ndodhur ndërmjet prillit 2021 dhe qershorit 2022. Akuzat fillestare përfshijnë dy gra që pretendojnë se janë përdhunuar, ndërsa një grua e tretë e akuzon për sulm seksual.
Fillimisht gjyqi ishte planifikuar të niste më 2 nëntor 2026, por për shkak të ngarkesës së madhe të sistemit gjyqësor britanik, procedurat janë shtyrë. Aktualisht pritet që procesi gjyqësor të fillojë gjatë vitit 2027 dhe të zgjasë mes gjashtë dhe tetë javësh.
Pavarësisht situatës ligjore, Partey mbetet një nga figurat kryesore të kombëtares së Ganës, me 58 paraqitje dhe 16 gola të shënuar për ekipin kombëtar. /Telegrafi/






