Studimet tregojnë se depresioni mund të lërë pasoja në forcën fizike, motivimin dhe kontrollin e lëvizjeve, edhe pasi simptomat psikologjike janë zbutur
Edhe pse në jetën e përditshme shtrëngimin e dorës e përdorim kryesisht si gjest përshëndetjeje dhe mirësjelljeje, në mjekësi, psikologji dhe antropologji ai shihet si një dritare interesante drejt gjendjes shëndetësore dhe emocionale të njeriut. Ajo që dikur lidhej me “leximin e karakterit”, sot shkenca moderne e ka mbështetur përmes studimeve të shumta klinike: shtrëngimi i dorës është një biomarker i thjeshtë, por jashtëzakonisht i dobishëm.
Shtrëngimi i dorës pasqyron gjendjen fizike të njeriut

Një shtrëngim i dobët i dorës gjatë përshëndetjes mund të jetë rastësor, por mund të tregojë edhe shumë për shëndetin, sepse forca e dorës konsiderohet një tregues i thjeshtë i gjendjes fizike. Të dhënat e reja tregojnë se shtrëngimi i dorës mund të flasë edhe për pasojat e depresionit. Madje, edhe kur sëmundja është tejkaluar, forca shpesh mbetet e ulur, sipas një studimi të publikuar në revistën JAMA Psychiatry.
Pjesëmarrësit e shëndetshëm arritën mesatarisht 30,7 kilogramë forcë të duarve. Te personat me depresion akut, kjo vlerë ishte 23,7 kilogramë, ndërsa pas trajtimit dhe përmirësimit të depresionit 24,5 kilogramë. Krahasimi i drejtpërdrejtë i këtyre dy grupeve është veçanërisht domethënës. Forca e dorës ishte pothuajse po aq e ulët, edhe pse do të pritej që trupi të rikuperohej pas përfundimit të fazës depresive.
“Kjo na befasoi shumë. Prisnim që njerëzit që kishin kaluar depresionin të kishin sërish forcë normale të duarve”, thotë psikiatri Sebastian Walther, profesor i psikiatrisë në University of Bern, duke shtuar se prej kohësh dihet që personat me depresion ose skizofreni shpesh kanë forcë më të dobët të duarve sesa njerëzit e shëndetshëm, transmeton Telegrafi.
Kontrolli i lëvizjeve dhe motivimi mund të mbeten të dëmtuara
Tani është zbuluar se ky dallim mund të vazhdojë edhe pas depresionit. Kriza psikologjike mund të kalojë, por trupi ende mund të mos jetë rikuperuar plotësisht. Profesor Walther e konsideron këtë shqetësuese.
“Forca e duarve konsiderohet një tregues i besueshëm i kondicionit fizik dhe i shëndetit. Një vlerë e ulët mund të tregojë forcë të reduktuar muskulore. Megjithatë, ajo mund të jetë edhe shenjë se kontrolli i lëvizjeve dhe motivimi vazhdojnë të jenë të dëmtuara. Kjo është e rëndësishme për jetën e përditshme. Njëkohësisht, kontrolli i dëmtuar i lëvizjeve mund të nënkuptojë se nuk janë të prekur vetëm muskujt, por edhe koordinimi ndërmjet trurit dhe trupit”, shpjegon ai.
Sipas tij, studimet e mëtejshme duhet të sqarojnë nëse forca e ulët e duarve, pavarësisht kalimit të depresionit, është pasojë e një mungese reale të kondicionit fizik apo thjesht e një kontrolli të dobësuar motorik. Nga kjo varet edhe lloji i terapisë.
“Nëse bëhet fjalë kryesisht për mungesë kondicioni, nevojitet një program i synuar fizik. Por, nëse problemi lidhet më shumë me ndryshime në kontrollin e lëvizjeve, atëherë trajnimi i koordinimit ose fizioterapia mund të jenë më të dobishme”, përfundon profesori i psikiatrisë Sebastian Walther. /Telegrafi/




