Princi William ka zbuluar se ende vazhdon ta shijojë pasionin e tij për motorët, por e bën këtë “fshehurazi” dhe “i maskuar” për të mos tërhequr vëmendje. Ky pohim nuk pritet të pëlqehet shumë nga bashkëshortja e tij, Kate, e cila më parë ka thënë se ky hobi e mbush me frikë.
Gjatë një vizite në organizatën Norfolk Blood Bikes, pranë rezidencës Anmer Hall, Princi i Uellsit, 43 vjeç, foli hapur për dashurinë e tij ndaj motorëve. Duke parë flotën e mjeteve të organizatës, ai tha: “Ende ngas motor herë pas here, por fshehurazi”, ndërsa më pas shtoi me një buzëqeshje: “I maskuar”.
Gjatë vizitës, William pa nga afër 25 motoçikleta dhe automjete që përdoren për transportimin e gjakut, plazmës, qumështit të gjirit dhe materialeve mjekësore.
Ai dhe Kate kanë financuar personalisht blerjen e një Ford Kuga për organizatën. Automjeti, i quajtur “Prince William”, iu bashkua një Ford Focus ekzistues që mban emrin “Queen Elizabeth II”.

Duke iu drejtuar vullnetarëve, princi u shpreh: “Ju jeni një pjesë kyçe e komunitetit. Shumë pak njerëz e kuptojnë sa i rëndësishëm është ky rrjet. Ju krijoni një lidhje thelbësore në të gjithë sistemin. Jeni të jashtëzakonshëm.”
William e mori patentën për motor në vitin 2002, në moshën 19-vjeçare, ndërsa patentën për makinë e kishte marrë një ditë pas ditëlindjes së 17-të.
Në rininë e tij ai ngiste shpesh motorë, por më vonë tha se e kishte “zbutur disi” këtë pasion pasi u bë baba i Princit George, Princeshës Charlotte dhe Princit Louis.
Ai ka zotëruar disa modele motorësh, përfshirë një Ducati 1198S, që mund të arrijë shpejtësi afër 290 km/h. Pasioni për dy rrota u nda edhe me vëllain e tij më të vogël, Princin Harry, me të cilin në vitin 2008 përshkoi rreth 1,600 kilometra me motor në Afrikën e Jugut për qëllime bamirësie.
Gjatë një vizite në Dundee në vitin 2015, Kate foli hapur për shqetësimin që i shkakton hobi i bashkëshortit të saj.
“Ai ende ngas motor. Gjithmonë më kap ankthi kur hipën në motor. Jam e tmerruar. Shpresoj që të arrij ta mbaj George-in larg kësaj”.
Kohët e fundit, William ka përdorur më shpesh një skuter elektrik për të lëvizur brenda pronës së Kështjellës Windsor. Madje u pa duke e përdorur edhe gjatë një episodi të emisionit The Reluctant Traveler me aktorin Eugene Levy, ku tha: “Është vërtet argëtues!”
Megjithatë, ai do të duhet të respektojë rregullat e reja që ndalojnë përdorimin e skuterëve elektrikë brenda Windsor Great Park. Rregullorja e parkut përcakton se rrugët janë të rezervuara vetëm për banorët, punonjësit dhe çiklistët, ndërsa mjetet e tjera të motorizuara, përfshirë e-skuterët, hoverboard-et dhe monociklet, nuk lejohen. /Telegrafi/





