Një video e vjetër e reperit të njohur amerikan, 50 Cent, është rikthyer së fundmi në qarkullim në rrjetet sociale, duke tërhequr sërish vëmendjen e publikut shqiptar.
Pamjet datojnë nga viti 2022, kur artisti performonte në Bronx të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë koncertit, një flamur shqiptar iu hodh në skenë nga fansat, ndërsa 50 Cent nuk hezitoi ta merrte dhe ta valëviste para mijëra të pranishmëve.

Momenti u bë edhe më i veçantë kur reperi realizoi me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, gjest që u prit me entuziazëm dhe duartrokitje nga publiku.
Videoja po shpërndahet sërish gjerësisht në rrjetet sociale, në një kohë kur Shqipëria është ndër temat më të diskutuara në mediat ndërkombëtare.
Vëmendja globale është përqendruar te protestat që po zhvillohen prej 12 ditësh radhazi në qendër të Tiranës, ku qytetarë dhe aktivistë kanë dalë në shesh për të kundërshtuar investimet amerikane të planifikuara në disa prej zonave turistike më të njohura të jugut të vendit, të konsideruara gjerësisht si perlat e bregdetit shqiptar.
Edhe pse videoja e 50 Cent nuk ka lidhje me zhvillimet e fundit politike dhe sociale në Shqipëri, rikthimi i saj në vëmendje vjen pikërisht në një moment kur emri i vendit po përmendet vazhdimisht në mediat botërore.
Pamjet kanë ngjallur reagime pozitive mes shqiptarëve, të cilët e kujtojnë ende me simpati gjestin e reperit amerikan dhe respektin që ai tregoi ndaj flamurit kuqezi para publikut në New York. /Telegrafi/





