Teknologjia e gjurmimit të lojtarëve ka ndihmuar Kombëtaren e Brazilit të mbledhë vite të tëra të dhënash për yjet e saj në prag të Kampionatit Botëror 2026.
Brazili ka fituar Kampionatin Botëror të meshkujve më shumë herë se çdo komb tjetër. Pesë tituj dhe gjenerata të tëra legjendash të futbollit e kanë konsoliduar reputacionin e Brazilit si një nga skuadrat më të forta dhe më të rrezikshme sa herë që zhvillohet Kupa e Botës, çdo katër vjet.
Qëllimi është i thjeshtë: të ofrohet sa më shumë informacion i mundshëm për trajnerin e Brazilit, Carlo Ancelotti, dhe stafin e tij, përpara marrjes së vendimeve të rëndësishme për Botërorin. Me ndeshjen e parë të Brazilit në Botërorin 2026 kundër Marokut që zhvillohet të shtunën më 23 qershor, analizohet se si këto të dhëna kanë ndihmuar ekipin në përgatitjet për këtë moment.
Në të gjithë Brazilin, shumica e futbollistëve profesionistë mbajnë “smart vests” – jelekë inteligjentë me sensorë, që ngjajnë me një jelek sportive, nën fanellë. Ata i përdorin gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve me klubet e tyre gjatë sezonit, duke gjeneruar të dhëna të detajuara mbi mënyrën si lëvizin, sa intensitet kanë dhe sa mirë rikuperohen.
Kjo teknologji e gjurmimit është zhvilluar me shpejtësi gjatë dekadës së fundit dhe sot shumica e ekipeve në Botëror përdorin këto sisteme elektronike të performancës dhe gjurmimit.
Megjithatë, Brazili e ka integruar këtë monitorim në mënyrë shumë më të gjerë, duke e aplikuar në të gjitha ekipet e tij të meshkujve, femrave dhe në akademitë e të rinjve.
Informacioni i mbledhur nga klubet përkatëse për lojtarët i dërgohet departamentit të shkencës sportive të kombëtares. Kjo i lejon trajnerëve të ndjekin lojtarët gjatë gjithë sezonit, edhe kur ata nuk janë në grumbullim me përfaqësuesen.
“Çdo ditë, kur nuk jemi me lojtarët, ne komunikojmë me klubet dhe ato na dërgojnë informacionet nga sistemi i gjurmimit”, thotë Guilherme Passos, shef i shkencës sportive te Kombëtarja e Brazilit. “Kështu është shumë e lehtë t’i integrojmë në bazën tonë të të dhënave dhe t’i analizojmë lojtarët kur nuk janë me ne”.
Përzgjedhja e lojtarëve, pozicioneve dhe roleve taktike ndikohet në masë të madhe nga këto të dhëna të mbledhura gjatë gjithë vitit. Disa lojtarë vijnë gjithashtu me lëndime ose duke u rikthyer nga programe rehabilitimi, ndërsa të tjerë mund të kenë ngarkesë të lartë fizike në klubet e tyre.
Duke monitoruar tregues si sa shumë vrapojnë lojtarët dhe sa shpesh kryejnë sprint, shkencëtarët e sportit mund të vlerësojnë nëse një lojtar është në gjendje të rikuperohet në mënyrë të sigurt, thotë Passos./Telegrafi/






