Kontributi kombëtar i Sami Frashërit në prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Histori

Sami Frashëri (1850-1904), ose siç nënshkruhej në shkrimet e tij, Shemsetin Samiu, në vazhdimësi ka tërhequr vëmendjen e studiuesve shqiptarë dhe turq, për faktin se ky mendimtarë i madh, i cili jetoi në shekullin e gjatë të perandorisë osmane, veprimtarinë e tij shkencore dhe filozofike ia kushtoi Shqipërisë dhe Turqisë në të njëjtën kohë. Janë […]

Madhësia e shkronjave

Sami Frashëri (1850-1904), ose siç nënshkruhej në shkrimet e tij, Shemsetin Samiu, në vazhdimësi ka tërhequr vëmendjen e studiuesve shqiptarë dhe turq, për faktin se ky mendimtarë i madh, i cili jetoi në shekullin e gjatë të perandorisë osmane, veprimtarinë e tij shkencore dhe filozofike ia kushtoi Shqipërisë dhe Turqisë në të njëjtën kohë. Janë veprat e tij të shkruara në gjuhën zyrtare të perandorisë osmane, pra në osmanishte, (por) të cilën Samiu preferonte ta quante turqishte – meqenëse kishte një kauzë për pastrimin e gjuhës turke, për çfarë pohonte se bëhet fjalë për një gjuhë të vjetër, të pasur, të bukur dhe të pavarur. Dashurinë që kishte ndaj kësaj gjuhe e kurorëzoi me botimin e fjalorit më të pasur të gjuhës turke, Kamus-i Turki (1901), i cili edhe sot mbetet njëri nga fjalorët më të njohur për studiuesit e gjuhës dhe historisë. Të njëjtën gjë do ta bënte edhe me gjuhën e nënës, pra gjuhën shqipe duke i dhënë edhe alfabetin me shkronja latine, i njohur në historiografinë shqiptare si Alfabeti i Stambollit, me të cilin u botuan veprat e vëllezërve Frashëri, shumë libra të Rilindjes – ndër të cilat edhe 12 numrat e revistës Drita, e cila më vonë u quajt Dituria.

Lexo po ashtu nga Agron Islami: – Roli historik i Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) – Nacionalizmi në Perandorinë Osmane – Emërtimi “Kosovë/Kosova” në shekujt osmanë – Sami Frashëri, për Hasan Tahsinin: Gjurmuesi i së vërtetës – Jeta dhe vepra e Mehmet Akif Ersoyt: Kudo më del përpara Kosova – Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe pritja e tyre nga administrata osmane – Dosja osmane për jetën e Ismail Qemalit dhe disa reflektime të gazetave osmane ndaj pavarësisë së Shqipërisë

Siç dihet, Alfabetarja – e botuar në shkurtin e vitit 1879, në bashkautorësi me rilindësit e shquar Jani Vreton (1822-1900), Pashko Vasën (1825-1892) dhe Sami Frashërin, i cili në atë kohë ishte vetëm 29 vjeç – përveç që synonte të përbashkonte shqiptarët në shkrim e lexim, ajo përmbante artikuj mbi origjinën dhe historinë e shqiptarëve, duke mos lënë anash edhe gjeografinë e viseve shqiptare, moralin njerëzor e shoqëror, si dhe njohuri të thjeshta aritmetike – si një dije e domosdoshme për të gjithë. Samiu, dy shkrimet e para të tij në gjuhën shqipe i hartoi për këtë vepër. Në shkrimin e parë të titulluar Gjuha Shqipe, ndër të tjera thotë: Sot është dita qe edhe shqiptarët të zënë e të shkruajnë, e të këndojnë gjuhën e tyre, që të mundë të ruajnë kombinë. Derisa në shkrimin e dytë të titulluar Dheshkronja – në kuadër të njohurive mbi gjeografinë fizike dhe politike të botës – një fokus të veçantë i kushtonte informacioneve mbi gjeografinë e Shqipërisë, çështë e ku shtrihet Shqipëria, sa banorë ka, cilat janë qytetet kryesore etj. Po ashtu, në veprën e madhe Diksioner historik e gjeografik, një vend të rëndësishëm ia kushtoi zërave mbi historitë e qyteteve që shtriheshin në gjeografinë shqiptare dhe në veçanti mbi aspektin etnik të banorëve të cilët ishin shqiptarë dhe sigurisht që këto ishin një informacion enciklopedik i hartuar gjatë viteve kur zhvillohej kongresi i Berlinit ndërsa fqinjët e shqiptarëve krijonin opinione të gabuara në raport me ekzistencën e shqiptarëve si etni.

Duhet theksuar se kontributi i Samiut në fushën e dijes shqiptare, ishte pjesë e programit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit e cila zyrtarisht u themelua në qershore të vitit 1878 dhe që për synim kishte krijimin e identitetit shtetëror, fillimisht brenda perandorisë osmane. Dhe, në krye të kësaj platforme ishte ngritja e vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar, ku me ngulm kërkohej edukimi i shqiptarëve në gjuhën shqipe – e që deri në atë kohë, këta edukoheshin në gjuhë të ndryshme, pra myslimanët në gjuhën osmane, ortodoksit në gjuhën greke dhe katolikët në gjuhë italiane. Pra, synim i rilindëseve shqiptarë ishte që të unifikonin popullin nëpërmjet edukimit, në një kohë kur Perandoria Osmane po shkonte drejtë shpërbërjes dhe fqinjët e shqiptarëve, të mbështetur nga Fuqitë e Mëdha, ndiqnin politika të gllabërimit sa më të madh të tokave shqiptare dhe, në anën tjetër, synonin të përçanin shoqërinë shqiptare në baza të besimit fetar.

Njëherësh, në kohën kur lindi dhe veproi Samiu, brenda vetë shoqërisë osmane mbretëronin rrymime të ndryshme, të cilat mund të emërtohen si lëvizje për krijimin e një identiteti të ri që njihej si i reformuar dhe që, si gjithmonë, përballë kishin edhe konservatorët që bënin luftën për ruajtjen ose rikthimin në periudhën e lavdishme të osmanlinjve klasikë. Pjesë e kësaj shoqërie padyshim që ishin edhe shqiptarët të cilët me apo pa dashje, ishin rreshtuar në krah të ndryshëm. Ishin intelektualët shqiptarë që vepronin në Stamboll, ata që u bënë pjesë e këtyre lëvizjeve në truallin osman të Stambollit. Disa prej tyre mbronin osmanizmin. Ndërkaq, të tjerët ishin rreshtuar pas turkizmit si ideologji që mbështetej nga elita osmane në Stamboll dhe ky debat u mbajt gjallë për një kohë të gjatë ndërmjet figurave osmane sikur Ahmet Vefk Pasha (1823-1891), Sylejman Hysni Pasha (1838-1892) dhe Sami Frashëri, si njëri nga intelektualët e rinj të Stambollit – për të cilin studiues me relevancë (si Nihat Sami Banarli, 1907-1974), mbrojnë mendimin ishte i ndikuar nga Ahmet Vefik Pasha (i cili gjatë shkollimit të mesëm në Francë u njohë me letërsinë turke të emigrantëve dhe këtë qasje të re e solli në Stamboll). Kështu, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, në shtetin osman u shfaqë lëvizja e turkizmit shkencor, karshi të cilës qëndronin osmanizmi dhe islamizmi. Ballafaqimi i këtyre ideve shkonte në favore të formësimit të nacionalizmit, i cili shpërfaqet në vepra të letërsisë që pikënisje e kishin idenë e përkatësisë së përbashkët, dhe që lidhej direkt me rrënjët, apo historinë. Thjeshtë ishte një veprimtari që synonte të i dilte zot periudhave të historisë që do të çonin në një organizim të përbashkët mbi premisat e gjuhës dhe kulturës.

Në anën tjetër, Samiu ishte vëllai i Abdyl Frashërit, i cili ishte një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare. Referuar një komunikimi me letër të Samiut, e cila bën fjalë për një artikull të Abdylit të titulluar Gjuha shqipe të cilin e kishte nisur me postë nga Janina më 18 dhjetor 1875 – me synimin për ta botuar në gazetën Istikbal, ku njëri nga redaktorët e saj ishte i vëllai, Shemsettin Samiu – kuptojmë se vëllezërit Frashri kauzën kombëtare e kishin filluar shumë kohë para Lidhjes së Prizrenit. Shkrimi në fjalë nuk është botuar, sepse kur arriti në redaksinë e gazetës, Porta e Lartë e kishte mbyllur gazetën në fjalë. Por, ekzistenca e shkrimit me këtë titull dokumentohet nga letra e Samiut, i cili me datë 11 janar 1876 i shkruante Abdyl Frashërit se shkrimin e përmendur shpresonte ta botonte po sa të rihapet gazeta istikbal (e cila nuk u rihap më asnjëherë). Ky fakt, nxjerrë në pah, kauzën e Frashërlinjve dhe frymën kombëtare në të cilën është rritur dhe ka vepruar Samiu.

Një element tjetër i rëndësishëm që i dha drejtim veprimtarisë patriotike të Samiut, ishin edhe rrethanat politike të krijuara me marrëveshjen e Shën Stefanit (Aya Stefanos), ku trojet shqiptare rrezikoheshin të ndaheshin ndërmjet Bullgarisë, Serbisë, Malit të zi dhe Greqisë. Për rezultat, elitat shqiptare përvolën mëngët për t’i dalë zot qenësisë shqiptare me themelimin e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, e cila synonte unifikimin e tokave shqiptare në një njësi të vetme administrative në kuadër të Perandorisë osmane, ku do të krijohej një identitet shtetëror, fillimisht autonomist, me të drejta të edukimit vetëm në gjuhën shqipe, themelimin e forcës mbrojtëse etj. Kësaj kauze Samiu i shërbeu me shkrime të shumta në gazeta të ndryshme osmane. Shoqëria osmane me aktivitetin e Lidhjes shqiptare dhe programin e saj u njoftuan nëpërmjet shkrimit të Samiut në gazetën Terxhymani Shark, në të cilën e publikoi programin e Lidhjes së Prizrenit. Në dhjetëra shkrime që i dedikoi Lidhjes Shqiptare, dhe ngjarjeve që ndodhën në atë në këto anë, ai synonte që të bindte shoqërinë osmane se reformat shtetëror në sanxhaqet osmane, që shtriheshin në gjeografinë shqiptare, duhet të bëhen në atë formë që të mos copëzojnë shqiptarët brenda shoqërive ortodokse greke e sllave. Respektivisht, në shkrimin e datës 15 qershor 1878 shkruante se Shqipëria duhet të bashkohej në një vilajet të vetëm, duke u ndarë nga viset me popullsi sllave e greke dhe që shqiptarët e krishterë të mos ndiejnë nevojën të lexojnë e shkruajnë greqisht apo sllavisht, por të lejohen që të shkruajnë gjuhën e tyre. Madje, ai shpërfaqte një diplomaci fine ndaj osmanëve dhe përcillte edhe një mesazh politik për elitën shqiptare, kur thoshte se “Vatani i vogël mbrohet duke e mbrojtur Vatanin e madh.” Në këtë rast, me vatanin e madh nënkuptonte ruajtjen e Perandorisë Osmane, ndërsa me të voglin trojet shqiptare.

Për të qenë akoma më bindës, ai theksonte se “shqiptarët janë më shumë se dy milionë, dy e treta e tyre janë myslimanë dhe një e treta të krishterë, të ndarë në ortodoksë e katolikë. Është kombësia ajo që këta të fundit (ortodoksët e katolikët) i ndanë nga grekët e bullgarët.” Ai vazhdon duke nënvizuar rëndësinë e shqiptarëve myslimanë për ekzistencën e sundimit osman në Evropë. Sipas tij, janë shqiptarët ata që e pengojnë megali idetë sllave e greke, ngase derisa shqiptarët janë të fortë, ekspansioni grek në Veri, ai bullgar në Perëndim dhe ai serb e malazias në Jug është i pamundur.

Shkrimet e tij të botuara në Terxhymani Shark, sidomos ato të ditëve kur zhvillonte punimet Kongresi i Berlinit, shpërfaqin idetë e tij patriotike në raport me Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjatë kësaj kohe, ai komentonte lajmet e gazetave të huaja mbi vendimet e këtij kongresi. Ai ishte i vetëdijshëm se e ashtuquajtura Çështje e Lindjes ishte një shpikje armiqve të Perandorisë Osmane, me qëllim për ta copëtuar atë, gjë që çonte në zhdukjen e myslimanëve të Ballkanit – që ishin shqiptarët dhe boshnjakët ata të cilët e përbënin këtë komunitet në këtë hapësirë. Sipas tij, Austro-Hungaria dhe Rusia ishin dy fuqitë që synojnë invadim në Rumelinë osmane dhe në fund të kësaj, kjo e fundit (Rusia) do të aneksojë qytetet shqiptare me qëllim të daljes në Adriatik. Sipas tij, këto dy fuqi po zhvillojnë një “kryqëzatë”, kundër popullsisë së pambrojtur myslimane në këto anë, e ku aspirata e tyre për tokën e Ballkanit është që ajo të jetë vetëm e të krishterëve. Ai kundërshtonte me ngulmë dorëzimin e rajoneve të Epirit, Greqisë (ku bënin pjesë Janina, Arta e Preveza), duke argumentuar me fakte historike dhe shifra mbi aspektin demografik të popullsisë, ku nënvizonte se “ato toka qyshe nga kohëra të lashta janë banuar me shqiptarë.” Këtu duhet të nënvizojmë faktin se Samiu në asnjë nga shkrimet e tij nuk shpërfaqte ndonjë tendencë racizmi, që nuk njihte komunitetet tjera që ishin pjesë e këtyre qyteteve.

Referencën mbi të dhënat e popullsisë e kishte tek të dhënat zyrtare osmane. Ai fliste për një shumicë shqiptare, por nuk përjashtonte as grekët, vllehtë dhe komunitetet tjera që ishin pjesë e banorëve të qyteteve në fjalë. Madje, në disa raste i akuzonte kolegët e tij grekë për racizëm, që nuk njeh etni tjetër pos grekut dhe fe e besim tjetër pos ortodoksisë – siç është rasti me debatin e tij të zhvilluar me gazetat greke Neologos, Temps, Messager d’Athenes etj. mbi identitetin e shqiptarëve të Epirit, Janinës dhe zonave tjera, ku kjo gazetë i shihte si inekzistent, duke u bazuar në religjionin e tyre ortodoks – dhe ky debat zhvillohej në kohën kur po mbaheshin diskutimet në Kongresin e Berlinit. Kështu, në shkrimin e datës 24 korrik të vitit 1878, të titulluar Shënime politike, njoftonte opinionin se, gazeta të huaja, duke folur për çështjet greke, shkruajnë se në Kongres është diskutuar që treva e Selemvrisë në Thesali dhe viset rreth lumit Kallamas të Epirit do t’i jepeshin Greqisë, ndërsa osmanët po kërkojnë që kufiri të jetë nga kepi i Zagorës në Thesali e gjer në Marënglliq në Epir. Samiu nuk pajtohej me asnjërën formë të ndarjes. Ai tërhiqte vëmendjen te elementi nacional shqiptar në Janinë, Marënglliq, Tërhallë etj. meqë, sipas tij, megjithëse një pjesë e tyre janë të besimit ortodoks e nuk duan që të pranojnë udhëheqjen e shtetit të ri grek. Madje, ai, duke iu referuar një shkrimi të gazetës Istanbul, e cila arsyetonte frikën e myslimanëve boshnjakë për mundësinë e mbetjes nën rrezen e ndikimit katolik të Austrisë (por, sipas kësaj gazete, myslimanët shqiptarë të Greqisë nuk kanë pse shqetësohen për mundësinë e mbetjes nën administrimin grek, pasi që koncepti i kësaj administrate bazohet në parime kushtetuese dhe në liritë fetare), Samiu konstatonte se, shokët e mi gazetarë në Istanbul gabohen në raport me grekët, pasi që këta, pos greqizmit nuk njohin kombësi tjetër dhe pos ortodoksizmit nuk njohin fe tjetër po ashtu. Madje, sipas tij, ideologjia heleniste në thelbin e saj të gjithë popujt jogrekë i konsideron barbarë. Dhe, në fund të shkrimit njoftonte opinionin se, pronari i gazetës Istanbul nuk është gjë tjetër vetëm se nënshtetas osman me prejardhje greke që mbanë anën e këtyre të fundit.

Janë shkrimet e tij që flasin mbi historinë e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe tendencën e qarqeve sllave e greke për ta paraqitur këtë organizim nën direktivat e Portës së Lartë, si një organizatë panislamike, e ku Samiu e ndjeu për obligim që të mbrojë me fanatizëm të vërtetën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në shkrimin e datës 13 gusht 1878 të titulluar Shënime politike, ai i referohet një artikulli të dërguar nga Beogradi, i cili ishte botuar në gazetën Politisch Korrespoendenz, e ku nënvizohet fakti se Serbia po përgatit ushtrinë me shpejtësi, karshi ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, meqë këta të fundit – si të themeluar nga Perandoria – do ta sulmojnë Serbinë. Njëherësh, kjo gazeta theksonte se zyrat e Drejtorisë së punëve të Jashtme të Serbisë janë duke përgatitur edhe një deklaratë që do t’u jepet konsujve të Fuqive të Mëdha në Beograd, ku synohej që të krijohet ky opinion negativ për Lidhjen. Samiu, nënvizon se Porta e lartë nuk ka gisht në Lidhjen që kanë themeluar shqiptarët. Përkundrazi, Lidhja u themelua si nevojë për t’i mbrojtur viset shqiptare që u janë dhënë Serbisë dhe Malit nga ana e Kongresit të Berlinit (edhe pse shqiptarët i njoftuan me pamflete të shumta vendimmarrësit e këtij kongresi se këto treva janë shqiptare dhe të banuara me shqiptarë). Në këtë vijë të debatit, në një shkrim tjetër ai shpërfaq gjithë tendencën e grekëve për ta paraqitur si lëvizje panislamiste të sponzorizuar nga sulltani Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ai si kundërargument për këtë nënvizon faktin e përbërjes së anëtarëve të lidhjes shqiptare që përfaqësoheshin pa dallime fetare.

Si përfundim, mund të thuhet se kontributi i Sami Frashërit për çështjen kombëtare shqiptare, në një kohë kur po ridimenzionoheshin identitetet, respektivisht kur ana nacionale dilte në pah karshi asaj fetare, ishte shumë i madh dhe mund të thuhet se ishte koka e lëvizjeve patriotike shqiptare. Kështu, në vend të përfundimit mund të thuhet se të gjitha aktivitet patriotike shqiptare që u zhvilluan gjatë dekadave të fundit të shekullit XIX, që karakterizohen me lëvizjet moderne brenda Perandorisë Osmane dhe Lidhjes shqiptare të Prizrenit, lidhen ngushtë me emrin e Sami Frashërit – duke filluar nga Komiteti Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare, i themeluar menjëherë pas marrëveshjes së Shën Stefanit në Stamboll, që kryesohej nga i vëllai Abdyl Frashëri, por që dihet se Samiu ishte njëri nga iniciatorët kryesorë të kësaj lëvizje të parë politike shqiptare.

Nga studimet e fundit, nënkuptohet se pjesa më e madhe e dokumenteve të hartuara në pranverën e vitit 1878 nga ana e Komitetit Qendror – që lidheshin me kundërshtimet deri në kryengritje kundër copëtimit territorial të Shqipërisë nga ana e Traktatit të Shën Stefanit, në dobi të shteteve ballkanike; pastaj pamfletet dërguar fuqive vendimmarrëse në Kongresin e Berlinit – ku argumentohej dhe kërkohej e drejta e shqiptarëve; thirrjet e zjarrta ndaj bashkatdhetarëve për të kundërshtuar me armë vendimet eventuale të disfavorshme për qenësinë shqiptare që mund të merreshin në Kongresin e Berlinit; memorandumet në adresë të sulltanit për të unifikuar krahinat shqiptare në një njësi të vetme administrative që do të quhej Arnavutluk Vilajeti (Vilajeti Shqiptar), ishin shkruar nga dora e Samiut ose kishin marr aprovimin e tij. Andaj edhe jo rastësisht studiuesi i mirënjohur Kristo Frashëri (1920–2016) punimin e parë mbi Sami Frashërin të botuar qysh në vitin 1967 do ta titullonte Shemsettin Sami Frashëri – Ideolog i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. /Telegrafi/

(Kumtesë e lexuar në panelin “Shemsetin Sami Frashëri dhe lëvizjet moderne turko-shqiptare”, organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë dhe Institucioni i Lartë i Historisë së Turqisë (Türk Tarih Kurumu), më 10 tetor 20125 në Prishtinë)