Federico Chiesa pritet të largohet nga Liverpooli gjatë kësaj vere, pasi nuk ka arritur të konsolidohet në “Anfield” që nga transferimi i tij.
Anësori 28-vjeçar iu bashkua “The Reds” nga Juventusi në vitin 2024, për një shumë të raportuar prej 12.5 milionë funtesh, por koha e rregullt në fushë ka qenë e vështirë për të, si pasojë e lëndimeve dhe rolit të kufizuar nën drejtimin e Arne Slot.
Gjatë këtij sezoni, Chiesa ka zhvilluar vetëm 726 minuta në të gjitha garat, duke mbetur në plan të dytë gjatë gjithë fushatës.
Sipas “Calciomercato”, Liverpooli tashmë i ka vendosur një çmim futbollistit për afatin kalimtar të verës, ku një ofertë në vlerën 20-25 milionë euro besohet se do të ishte e mjaftueshme për të siguruar largimin e tij. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që të merren në konsideratë edhe oferta më të ulëta.
Interesimi në Itali ka nisur të rritet, me Romën që ishte lidhur më herët me lojtarin me kërkesë të Daniele De Rossit, ndërsa edhe Napoli ka bërë pyetje për situatën e tij. Një rikthim i mundshëm te Juventusi po ashtu është përmendur si opsion./Telegrafi/






