Hunda e bllokuar, lodhja dhe dhimbja e kokës: Virusi që po mbush ambulancat dhe shpesh ngatërrohet me alergjinë

shendetesi

Rhinovirusi, shkaktari më i shpeshtë i ftohjes së zakonshme, po përhapet sidomos në këtë periudhë të vitit dhe prek si fëmijët, ashtu edhe të rriturit Nëse kohët e fundit keni vënë re më shumë njerëz me hundë të bllokuar, kollë, lodhje apo dhimbje fyti, mjekët thonë se shumë prej këtyre rasteve lidhen me rhinovirusin, një […]

Madhësia e shkronjave

Rhinovirusi, shkaktari më i shpeshtë i ftohjes së zakonshme, po përhapet sidomos në këtë periudhë të vitit dhe prek si fëmijët, ashtu edhe të rriturit

Nëse kohët e fundit keni vënë re më shumë njerëz me hundë të bllokuar, kollë, lodhje apo dhimbje fyti, mjekët thonë se shumë prej këtyre rasteve lidhen me rhinovirusin, një nga shkaktarët më të zakonshëm të infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

Edhe pse simptomat shpesh ngatërrohen me alergjinë sezonale, ekspertët paralajmërojnë se pas tyre shumë shpesh fshihet një infeksion viral që përhapet lehtë, sidomos në periudhat kur njerëzit qëndrojnë më shumë në ambiente të mbyllura.

Rhinovirusi bën pjesë në grupin e enteroviruseve dhe konsiderohet shkaktari kryesor i ftohjes së zakonshme. Shkencëtarët kanë identifikuar deri më tani më shumë se 100 lloje të këtij virusi.

Megjithëse shumë njerëz mendojnë se ftohjet shfaqen vetëm gjatë dimrit, rhinovirusi përhapet më shumë në pranverë dhe në fillim të vjeshtës, edhe pse mund të qarkullojë gjatë gjithë vitit. Mjekët shpjegojnë se virusi transmetohet më lehtë në shkolla, zyra, transport publik dhe ambiente të tjera të mbyllura. Ai mund të qëndrojë për një kohë të gjatë edhe në sipërfaqe si dorezat e dyerve, telefonat apo tavolinat, duke u përhapur lehtë përmes duarve, transmeton Telegrafi.

Sipas të dhënave të Johns Hopkins Medicine, të rriturit preken mesatarisht dy deri në tri herë në vit nga ky virus, ndërsa fëmijët mund të kenë deri në tetë infeksione gjatë vitit.

Virusi përhapet kryesisht përmes piklave që një person i infektuar nxjerr gjatë teshtitjes, kollës apo edhe gjatë të folurit. Ai transmetohet edhe nga sipërfaqet e kontaminuara, kur virusi kalon nga duart në hundë, sy ose gojë. Mjekët paralajmërojnë se personi mund ta përhapë virusin edhe para se ta kuptojë se është sëmurë.

Simptomat zakonisht shfaqen një deri në tri ditë pas kontaktit me virusin. Shenjat më të zakonshme janë hunda e bllokuar ose rrjedhja e hundëve, teshtitja, dhimbja e fytit, kolla, lodhja, dhimbjet e muskujve dhe temperatura e lehtë, sidomos te fëmijët.

Ekspertët theksojnë se rhinovirusi shpesh ngjan me alergjinë, veçanërisht gjatë pranverës. Megjithatë, ndryshe nga alergjia, ky virus zakonisht shkakton lodhje të theksuar, plogështi dhe dhimbje në trup. Mjekët gjithashtu sqarojnë se ndryshimi i ngjyrës së sekrecionit të hundës në të verdhë ose të gjelbër nuk do të thotë automatikisht infeksion bakterial dhe nuk nënkupton nevojën për antibiotikë.

Rrezikun më të madh për komplikime e kanë fëmijët e vegjël, të moshuarit, pacientët me astmë, personat me imunitet të dobësuar dhe të sëmurët kronikë. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve paralajmëron se rhinovirusi mund të përkeqësojë ndjeshëm astmën dhe sëmundjet e tjera të frymëmarrjes.

Për rhinovirusin nuk ekziston një ilaç specifik. Trajtimi bazohet kryesisht në lehtësimin e simptomave përmes pushimit, konsumimit të lëngjeve, uljes së temperaturës sipas nevojës, shpëlarjes së hundës me solucion fiziologjik dhe lagështimit të ajrit në ambiente.

Mjekët theksojnë se antibiotikët nuk veprojnë ndaj rhinovirusit, sepse bëhet fjalë për infeksion viral dhe jo bakterial. Simptomat zakonisht zgjasin nga shtatë deri në dhjetë ditë, megjithëse kolla dhe lodhja mund të vazhdojnë edhe më gjatë. /Telegrafi/