Tensionet mes Mimoza Ahmetit dhe Zhakut duket se janë thelluar edhe më shumë, teksa dyshja vijon të jetë në qendër të vëmendjes pas deklaratave të fundit të bëra publikisht. Në diskutimet e fundit rreth situatave në “Ferma VIP”, u bë e qartë se mes tyre nuk ekziston asnjë raport miqësie – diçka që poetja e njohur e tha hapur.
Nga ana e saj, Zhaku ka “shpërthyer” me tone të forta, duke deklaruar se, megjithëse në fillim kishte shprehur mbështetje për Mozën, tani qëndrimi i saj ka ndryshuar rrënjësisht. Ajo është shprehur se poetja, sipas saj, është “ulur” në publik, madje duke shtuar edhe një deklaratë të ashpër: “Mozës do i bëj gropën”.
Zhaku komentoi se Mimoza Ahmeti është artiste që ka nevojë për komunikim intelektual, por sipas saj, rrethi dhe situatat përreth e kanë ulur figurën e Mozës si në sytë e publikut, ashtu edhe në vlerësimin e saj personal.
Ndërkohë, Mimoza Ahmeti ka dhënë versionin e saj, duke theksuar se marrëdhënia me Zhakun ka qenë gjithmonë me ulje-ngritje dhe se nuk kanë pasur kurrë një miqësi të mirëfilltë. Poetja ka shkuar edhe më tej, duke zbuluar një detaj që, sipas saj, ka ndikuar në prishjen e raportit: pretendimin se Zhaku ka dalë me partnerin e saj.
“S’kemi qenë mike. Me Zhakun kam tentuar të bëj një album në vitin 2000, por ajo u tërhoq dhe unë e bëra vetë. Nuk kemi pasur një lidhje konstante. Të kesh një shoqe… nuk janë shkëputje 15-vjeçare dhe ti del me partnerin e saj,” u shpreh Ahmeti, duke nënvizuar se nuk mban mend as kur kanë pirë kafen e fundit bashkë.
Ajo shtoi se ka mënyra “ekstravagante” të reagimit, por sipas saj, Zhaku me sjelljet e fundit “ka humbur pikë”, ndërsa e ftoi të ulen “në tokë” dhe të flasin.
Deklaratat e ndërsjella kanë ndezur debat në rrjet, ndërsa pritet të shihet nëse përplasja mes tyre do të marrë një tjetër kthesë apo do të zbutet me kalimin e ditëve. /Telegrafi/






