Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Skender Hita, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Policinë e Kosovës, ku është pritur nga drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Gazmend Hoxha.
Gjatë takimit, ku mori pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, si dhe drejtues të lartë të dy policive, u vlerësua niveli i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve policore të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe rezultatet e arritura në luftën kundër kriminalitetit.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Skender Hita, tha se vizita e tij e parë zyrtare në Prishtinë ka një domethënie të veçantë.

“Ka vende që kur shkel, ndihen më shumë sesa mund të thuhen me fjalë. Prishtina është një prej tyre. Dhe unë sot, në vizitën time të parë zyrtare si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nuk e ndjej këtë si një detyrim protokollar, por si privilegj, sepse jam mes vëllezërve”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Gazmend Hoxha theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet dy policive, duke e cilësuar atë si faktor kyç për garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit publik dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Në takim u diskutua edhe për prioritetet strategjike të dy institucioneve, sfidat aktuale të sigurisë dhe nevojën për thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, krimit ndërkufitar dhe fenomeneve të tjera që cenojnë sigurinë rajonale.
Hita rikonfirmoi gatishmërinë e Policisë së Shtetit për ta forcuar më tej partneritetin me Policinë e Kosovës në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
“Krimi sot është më i organizuar, më i sofistikuar dhe pa kufij. Për këtë arsye, edhe përgjigjja jonë duhet të jetë më e shpejtë, më e koordinuar dhe më e fortë. Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar një partneritet model mes dy policive tona dhe ky bashkëpunim do të vijojë të forcohet në shërbim të sigurisë së qytetarëve tanë”, deklaroi ai.
Të dy drejtuesit vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm në shkëmbimin e informacionit, hetimet, operacionet e përbashkëta policore dhe menaxhimin e sigurisë kufitare.





