Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka përkujtuar 28 vjetorin e rënies së heroit të kombit, Agron Rrahmanin.
Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar Rrahmani qysh i ri nga Ballofci i Besianës deri në Prishtinë u dallua për veprimtari atdhetare.

“Në 28-vjetorin e rënies, e kujtojmë me nderim Heroin e Kombit Agron Rrahmanin. Qysh i ri, nga Ballofci i Besianës deri në Prishtinë, ai u dallua për veprimtari atdhetare. Aktivitetin e tij e nisi herët si gjimnazist në Besianë, dhe më vonë e vazhdoi në ilegalitet, në Prishtinë, në Tiranë, në Tetovë e në shumë vise të tjera, ai u bë një nga njerëzit e veprimit të përditshëm. Agroni me shokë mori përsipër punë që nuk dukeshin gjithmonë para syve të njerëzve, por pa të cilat lufta nuk mund të ecte: organizim, lëvizje, përgatitje, lidhje mes njerëzve dhe besim të plotë se Kosova duhej të çlirohej”, ka shkruar Haxhiu.
Tutja ajo ka thënë se: “Agron Rrahmani ishte luftëtar i guximshëm, por më shumë se kaq ishte edhe njeri i organizimit ushtarak në qytet. Para se të merrte drejtimin e njësitit ‘Rexhep Mala’ në Prishtinë, ai kishte marrë përsipër përgatitjen luftarake të anëtarëve të LKÇK-së dhe të vullnetarëve, si dhe kishte ndihmuar në ngritjen e qendrës stërvitore në Tiranë, ku u përgatitën mbi 300 vullnetarë. Në shkurt të vitit 1998, ai u caktua komandant i njësitit të parë ilegal luftarak në Prishtinë, njësit që mori emrin ‘Rexhep Mala’ “. /Telegrafi/





