Gashi: Intensifikimi i bashkëpunimit ndërparlamentar me Zvicrën

Rajon

Në kuadër të vizitës së punës në Bernë, Konfederata Zvicerane, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, së bashku me delegacionin parlamentar, realizoi takime me Kryetarin e Parlamentit Federal të Konfederatës Zvicerane, Pjer-Andre Pazh, si dhe me drejtuesit e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), thuhet në njoftimin e Kuvendit […]

Madhësia e shkronjave

Në kuadër të vizitës së punës në Bernë, Konfederata Zvicerane, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, së bashku me delegacionin parlamentar, realizoi takime me Kryetarin e Parlamentit Federal të Konfederatës Zvicerane, Pjer-Andre Pazh, si dhe me drejtuesit e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), thuhet në njoftimin e Kuvendit të RMV-së.

“Në takimin me Kryetarin Pazh u shpreh kënaqësia e përbashkët për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore bilaterale ndërmjet dy vendeve, si dhe gatishmëria për avancimin e mëtejmë të tyre. Bashkëbiseduesit e theksuan rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërparlamentar nëpërmjet shkëmbimit të përvojave, ideve dhe praktikave të mira, me qëllim përforcimin e kapaciteteve parlamentare dhe proceseve demokratike.

Kryetari Gashi e theksoi mbështetjen e rëndësishme dhe të vazhdueshme që Zvicra ia jep Republikës së Maqedonisë së Veriut në proceset reformuese dhe eurointegruese.

Në takimin me drejtuesit e SDC-së, ku nga pala zvicerane morën pjesë ambasadori Kristian Frutiger Frutiger, ndihmësdrejtor i përgjithshëm dhe udhëheqësi i Njësisë për Bashkëpunim Tematik, si dhe Severin Donet-Deskart, udhëheqës i Sektorit për Evropën Lindore, u theksua mbështetja afatgjatë dhe e rëndësishme zvicerane për zhvillimin demokratik, përforcimin institucional dhe proceset reformuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Theks i veçantë gjatë bisedimeve iu kushtua Programit për Mbështetje Parlamentare (PSP), që zbatohet nga NDI-ja, i cili u vlerësua si segment jashtëzakonisht i rëndësishëm i partneritetit strategjik ndërmjet Kuvendit dhe Konfederatës Zvicerane”, thuhet në njoftim.

Nga atje thonë se gjithashtu u theksua kontributi i programit në zhvillimin e Institutit Parlamentar, përforcimin e kapaciteteve administrative dhe hulumtuese, avancimin e transparencës dhe llogaridhënies së Kuvendit, si dhe në mbështetjen e proceseve të digjitalizimit dhe modernizimit të punës parlamentare./Telegrafi/