Ish-presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar bashkëpunimin me ish-deputeten Albena Reshitaj, e cila pritet të garojë për zgjedhjet e 7 qershorit.
Osmani këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.
Ajo ka shkruar se një bashkëpunim i filluar më shumë se një dekadë më parë, e i ndërtuar mes sfidash e suksesesh të përbashkëta, po vazhdon edhe sot.
“Prof.asoc.dr. Albena Reshitaj, ish ministre, deputete në 4 mandate, e mbi të gjitha një grua parimore dhe me bindje politike të qëndrueshme, ka dëshmuar vazhdimisht se nuk dorëzohet para asnjë sfide apo kërcënimi, kur është në pyetje mbrojtja e interesit të Kosovës. Kur u zgjodha Presidente në vitin 2021, me votën e saj vendimtare, Albena krijoi kuorumin e nevojshëm dhe bllokoi rolin e Listës serbe në krijimin e institucioneve, pa asnjë interes personal e pa kërkuar absolutisht asgjë”, ka shkruar Osmani.
Ajo po ashtu tha se Kosova ka nevojë për njerëz që dijnë të punojnë bashkë, e jo për të tillë që dojnë të shkatërrojnë njëri-tjetrin.
“Ajo dëshmoi shumëherë, e po e dëshmon edhe sot se politika mund të ndërtohet mbi dinjitet, integritet dhe vizion për Kosovën, e gjithnjë e palëkundur para atyre që nuk e njohin Kosovën si dhe para atyre që dojnë të shkatërrojnë gjithçka që është ndërtuar me sakrificë. Kosova ka nevojë për njerëz që dijnë të punojnë bashkë, e jo për të tillë që dojnë të shkatërrojnë njëri-tjetrin. Si trashëgimtare e një familjeje atdhetare, mbesë e Ramë Bllacës, ajo do të vazhdojë të mbrojë kauza për të cilat është sakrifikuar ndër shekuj. Kosova do ta ketë nderin ta ketë deputete, ndërsa qytetarët tanë kanë mundësinë që edhe njëherë të vlerësojnë parimësinë, guximin, nderin, besnikërinë ndaj shtetit dhe profesionalizmin e Albenës. Na priftë e mbara”, ka shkruar Osmani. /Telegrafi/






