“Skandali në Ditën e Policisë është dëshmi e qartë se në këtë qeveri shqiptarët nuk trajtohen si të barabartë. Në listën e 12 policëve më të mirë nuk figuron asnjë shqiptar, ndërsa në aktivitetin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk u pa asnjë shkronjë në gjuhën shqipe. Sipas raportimit të Alsat, ceremonia u zhvillua pa mbishkrime në shqip, pa adresim në shqip dhe pa përfaqësim shqiptar në mesin e policëve të dekoruar”, reagojnë nga Aleanca për Shqiptarët.
Sipas tyre kjo nuk është rastësi, por është përjashtim politik dhe institucional.
Ata pyesin VLEN-in se për çfarë janë në Qeveri, nëse nuk arrijnë të mbrojnë as gjuhën shqipe, as dinjitetin e policëve shqiptarë.
“Shqiptarët shërbejnë çdo ditë në uniformë, rrezikojnë jetën, kontribuojnë në rendin publik dhe mbajnë përgjegjësi për sigurinë e qytetarëve. Por kur vjen koha për mirënjohje shtetërore, ata fshihen nga skena. Kur vjen koha për gjuhën shqipe, ajo injorohet. Kur vjen koha për reagim, VLEN-i hesht. Kjo heshtje nuk është maturi. Është pajtim me nënçmimin. VLEN-i duhet të tregojë publikisht a është pjesë e Qeverisë për të mbrojtur shqiptarët, apo vetëm për të legjitimuar vendime që i përjashtojnë ata. Sepse një partner qeveritar që nuk reagon kur gjuha shqipe zhduket nga një ngjarje shtetërore dhe kur asnjë polic shqiptar nuk vlerësohet në mesin e më të mirëve, nuk është përfaqësues, por dekor politik i pushtetit”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe sqarim publik për kriteret e përzgjedhjes së 12 policëve të dekoruar, si dhe për mungesën e plotë të gjuhës shqipe në aktivitetin zyrtar të Ditës së Policisë.
Nga ASH thonë se institucionet e shtetit nuk guxojnë të prodhojnë përjashtim. Ato duhet të reflektojnë barazi reale, respekt për gjuhën shqipe dhe përfaqësim të drejtë të shqiptarëve.






