Presidenti i Interit, Beppe Marotta, ka konfirmuar interesimin e Barcelonës për mbrojtësin Alessandro Bastoni, duke theksuar se lojtari mbetet i kënaqur te klubi zikaltër.
Duke folur për “Radio Anch’Io Sport”, Marotta pranoi se ekziston admirim për reprezentuesin italian, por nënvizoi se nuk ka ende ndonjë ofertë konkrete.
“Është një talent i madh”, deklaroi Marotta.
“Nuk do ta mohoj se ka interes nga Barcelona, por deri tani asgjë konkrete. Një lojtar largohet vetëm nëse shpreh dëshirën për t’u larguar. Aktualisht, ai është i lumtur me ne dhe ne jemi të kënaqur me të”.
Bastoni, një figurë kyçe në strukturën mbrojtëse të Interit, ka qenë pjesë e pandashme e ekipit në sukseset e fundit në arenën vendase, përfshirë triumfin e fundit në kampionat.
“Italia prodhon talente. Ne duam të ndërtojmë një bërthamë të fortë lojtarësh italianë… Për të fituar titullin, duhet një grup që e kupton futbollin italian”, shtoi ai.
Në fund, Marotta theksoi ambiciet e klubit në arenën evropiane, duke përmendur dështimet e mëparshme në finale:
“Kam arritur në katër finale dhe fatkeqësisht i kam humbur të gjitha. Është diçka që ende dua ta arrij”, u shpreh ai, duke nënvizuar fokusin e vazhdueshëm të klubit për të fituar Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/






