Kompania Motorola ka prezantuar zyrtarisht gjeneratën e re të telefonave të saj të palosshëm, duke zgjeruar linjën “Razr” me tre modele të reja: Razr 70 Ultra, Razr 70 Plus dhe Razr 70, si pasardhës të serisë Razr 60.
Sipas njoftimit, këto modele sjellin përmirësime në dizajn, ekrane më të mëdha të jashtme, kamera të përditësuara, si dhe integrim më të thellë të inteligjencës artificiale në funksionim.

Të tre telefonat ruajnë dizajnin klasik “clamshell” (me palosje vertikale), por dallojnë në madhësi dhe performancë. Razr 70 Ultra dhe Razr 70 Plus vijnë me ekran të jashtëm 4.0 inç me frekuencë rifreskimi 165Hz, ndërsa modeli bazë Razr 70 ka ekran pak më të vogël 3.6 inç. Këta ekrane mundësojnë përdorim të aplikacioneve dhe njoftimeve pa e hapur telefonin.
Në pjesën e brendshme, Razr 70 Ultra ka ekran 7.0 inç AMOLED me cilësi të lartë, ndërsa dy modelet e tjera kanë ekran 6.9 inç. Të gjitha pajisjet janë të pajisura me materiale më të qëndrueshme dhe menteshë të përforcuar me titan, duke rritur rezistencën e telefonit.
Sa i përket performancës, modeli Ultra vjen me procesor Snapdragon 8 Elite dhe bateri 5000mAh, Plus me Snapdragon 8s Gen 3 dhe bateri 4500mAh, ndërsa modeli bazë përdor procesor MediaTek Dimensity 7450X dhe bateri 4800mAh. Të gjitha modelet mbështesin karikim të shpejtë dhe lidhje moderne si 5G dhe Wi-Fi 7.
Edhe kamerat janë përmirësuar, ku Razr 70 Ultra ofron sistem të trefishtë 50MP, ndërsa modelet e tjera kanë konfigurim të dyfishtë 50MP për fotografi të avancuara dhe kamera të përparme për selfie dhe video thirrje.
Motorola ka integruar gjithashtu funksione të ndryshme me AI, duke përfshirë përmbledhje të njoftimeve, sugjerime inteligjente dhe mjete për fotografi më kreative.
Seria e re Razr 70 pritet të dalë në treg në muajt e ardhshëm në rajone të ndryshme të botës. /Telegrafi/





