Gjyqtari i futbollit vritet para lojtarëve dhe shikuesve pasi personat e armatosur hynë në fushë

Sport

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Ekuador, ku një gjyqtar futbolli është vrarë me armë zjarri gjatë një ndeshjeje, duke shkaktuar reagime të forta dhe shqetësim në komunitetin lokal. Viktima është identifikuar si 48-vjeçari Javier Ortega, sipas mediave lokale, sulmi ndodhi të dielën në qytetin Pasaje, në provincën bregdetare El Oro, përpara dhjetëra personave […]

Madhësia e shkronjave

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Ekuador, ku një gjyqtar futbolli është vrarë me armë zjarri gjatë një ndeshjeje, duke shkaktuar reagime të forta dhe shqetësim në komunitetin lokal.

Viktima është identifikuar si 48-vjeçari Javier Ortega, sipas mediave lokale, sulmi ndodhi të dielën në qytetin Pasaje, në provincën bregdetare El Oro, përpara dhjetëra personave që po ndiqnin ndeshjen.

Dëshmitarët kanë deklaruar se disa persona të armatosur dhe ende të paidentifikuar i’u afruan gjyqtarit gjatë zhvillimit të ndeshjes dhe më pas hapën zjarr ndaj tij.

Autorët e sulmit janë larguar menjëherë nga vendngjarja.

Ortega, i njohur si një gjyqtar lokal i përkushtuar, po drejtonte një ndeshje amatore dhe u shpall i vdekur në vend, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve emergjente.

Pas incidentit, ndeshja u ndërpre menjëherë, ndërsa lojtarët dhe spektatorët u strehuan për siguri. Autoritetet më vonë rrethuan zonën për t’u mundësuar ekspertëve kriminalistikë këqyrjen e vendit të ngjarjes.

Klubi organizator ka pezulluar të gjitha ndeshjet e ardhshme deri në sqarimin e plotë të rrethanave, ndërsa raportohet se familjarë të viktimës ndodheshin gjithashtu në vendngjarje dhe kanë kërkuar hetim të shpejtë dhe të plotë.

Autoritetet ekuadoriane kanë hapur një hetim penal dhe ngjarja po trajtohet si vrasje e qëllimshme. Sipas raportimeve, policia po analizon pamje nga telefonat celularë dhe po merr në pyetje dëshmitarët për identifikimin e autorëve.

Një zyrtar i futbollit ka shprehur ngushëllime për viktimën, duke theksuar se “Javier ishte një zyrtar i përkushtuar; humbja e jetës së tij në një ndeshje futbolli është e papranueshme”.

Sipas burimeve policore, hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht motivet e sulmit, i cili konsiderohet një akt i qëllimshëm dhe i kryer në një hapësirë sportive dhe komunitare.

Ky incident ka rritur shqetësimet për sigurinë në aktivitetet sportive në Ekuador, në një periudhë kur vendi po përballet me nivele të larta të dhunës kriminale.

Muajin e kaluar, qeveria ekuadoriane ka dislokuar mbi 75,000 policë dhe ushtarë në katër provinca me shkallën më të lartë të kriminalitetit, përfshirë edhe El Oro.

Që prej marrjes së detyrës në nëntor 2023, presidenti Daniel Noboa ka intensifikuar luftën kundër grupeve kriminale dhe ka shpallur disa gjendje të jashtëzakonshme. Megjithatë, pavarësisht masave, niveli i vrasjeve mbetet shumë i lartë dhe është rritur me mbi 30% midis viteve 2024 dhe 2025.

Në vitin 2025 janë regjistruar 9,216 raste vrasjesh, krahasuar me 7,063 në vitin 2024. /Telegrafi/