Ylli i ri i Barcelonës, Lamine Yamal ka tërhequr shumë vëmendje në Spanjë me veprimet e tij përpara ndeshjes së dytë të çerekfinales së Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit. Paraqitja e tij në konferencën për shtyp dhe ndryshimi në rrjetet sociale janë interpretuar si një mesazh shprese për ekipin katalunas.
E gjitha filloi të dielën e kaluar kur Yamal ndryshoi foton e profilit të tij në Instagram. Ai postoi një fotografi të yllit të basketbollit LeBron James duke përqafuar trofeun e NBA-së të vitit 2016. Lëvizja nuk ishte e rastësishme, por mbart një simbolikë më të thellë.

“LeBron është një nga njerëzit që mund të më frymëzojë për lojën dhe kjo është arsyeja pse e zgjodha atë për foton time të profilit”, tha fillimisht Yamal.
“Mendoj se si e bëri kthesën dhe shpresoj se mund të bëj të njëjtën gjë edhe unë”, përfundoi ylli i Barcelonës.
Konkretisht, LeBron dhe Cleveland Cavaliers ishin në një situatë pothuajse të pamundur në finalet e atij viti kundër ekipit të fuqishëm Golden State Ëarriors, të cilët kishin fituar një rekord prej 73 ndeshjesh atë sezon.
Megjithatë, ata arritën të kapërcenin një disavantazh 1-3 në seri dhe të fitonin titullin, diçka që askush nuk e kishte bërë më parë në historinë e finaleve të NBA-së.
Në anën tjetër, Barcelona është në një situatë të ngjashme, duke kërkuar të rikuperohet nga një humbje 2-0 në ndeshjen e parë në Camp Nou. Prandaj, katalunasit do të përballen me një detyrë të vështirë në ndeshjen e kthimit në Metropolitano.
Se rreziqet janë të larta dhe se çdo detaj po merret parasysh konfirmohet nga lëvizja e trajnerit Hansi Flick, i cili tashmë ka paraqitur një ankesë në UEFA në lidhje me lartësinë e barit në fushën e Atleticos. /Telegrafi/





