Feronikeli ’74 ka mbajtur sot (e enjte) Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku anëtarët e klubit diskutuan dhe vendosën për përbërjen e re të kryesisë së klubit.
Në këtë proces, unanimisht është zgjedhur Alban Veseli si president i ri, duke marrë përgjegjësinë për drejtimin e një prej klubeve më të njohura të futbollit kosovar.
Përveç presidentit Veseli, në drejtim të klubit janë emëruar edhe Lapidar Lladrovci si drejtor sportiv dhe Argjend Bardhi si menaxher, duke siguruar një ekip drejtues me përvojë dhe energji për të zhvilluar klubin në nivelin e duhur.

Pas zgjedhjes, presidenti Veseli shprehu mirënjohjen e tij ndaj anëtarëve të kuvendit dhe bordit drejtues për besimin e dhënë.
Klubi Futbollistik FC Feronikeli 74 njofton opinionin publik se sot është mbajtur Kuvendi i Jashtëzakonshëm i klubit, ku u diskutua dhe u vendos për zgjedhjen e kryesisë së re.
Në këtë kuvend, të gjithë anëtarët unanimisht zgjodhën z. Alban Veseli në postin e Presidentit të klubit, Lapidar Lladrovci Drejtor Sportiv si dhe Argjend Bardhi Menaxher.
Me këtë rast, Presidenti i ri i klubit, z. Veseli, ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e tij për besimin e dhënë nga anëtarët e kuvendit dhe bordit drejtues:
“Jam i privilegjuar të menaxhoj një klub siç është FC Feronikeli 74. Po ashtu, jam i nderuar që në klub gjeta bashkëpunëtorë me energji të jashtëzakonshme për angazhim dhe punë.
Së bashku do të punojmë fuqishëm që FC Feronikeli 74 në vitet e ardhshme të jetë ndër klubet më të organizuara dhe kështu ta bëjmë krenar qytetin e Drenasit, e pse jo edhe gjithë Kosovën.
Fokusi ynë primar do të jetë gjithashtu zhvillimi i akademisë, duke krijuar kushte sa më të mira për talentët e rinj që do të vijnë.”
FC Feronikeli 74 i uron suksese Presidentit Veseli në këtë detyrë të rëndësishme dhe shpreh besimin se nën udhëheqjen e tij, klubi do të arrijë suksese të reja./Telegrafi/





