Presidenti i Iranit paralajmëron se sulmet izraelite në Liban mund të bëjnë të pavlefshme negociatat.
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve izraelite në Liban, duke theksuar se këto veprime shkelin marrëveshjen e armëpushimit dhe rrezikojnë procesin e negociatave ndërkombëtare.

Në një mesazh në rrjetet sociale, ai e përshkroi situatën si “një shenjë të rrezikshme mashtrimi dhe mungese përkushtimi ndaj marrëveshjeve të mundshme,” duke paralajmëruar se “vazhdimi i këtyre veprimeve do të bëjë që negociatat të jenë të pavlefshme”.
Pezeshkian shtoi gjithashtu se Irani do të mbetet i përkushtuar ndaj Libanit, duke thënë se “gishtat tanë mbeten mbi shkrepësen” dhe se vendi i tij “kurrë nuk do të braktisë motrat dhe vëllezërit tanë libanezë”.
Reagimi i tij vjen pas një serie sulmesh izraelite që kanë shkaktuar një tragjedi në Liban, ku sipas autoriteteve vendase të mbrojtjes civile, të paktën 254 persona kanë humbur jetën dje. Shumica e viktimave ndodhen në kryeqytetin Bejrut, i cili u godit rëndë nga goditjet ajrore.
Analistët ndërkombëtarë paralajmërojnë se tensionet në rajon po rriten dhe se veprime të tilla mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit, duke e bërë më të vështirë arritjen e marrëveshjeve diplomatike që synojnë stabilitetin në Lindjen e Mesme. /Telegrafi/





