Vetëm pak orë para ndeshjes historike ndaj Turqisë, tifozët e Kombëtares së Kosovës kanë krijuar një atmosferë të pazakontë në Prishtinë, duke mos i lënë të qetë lojtarët kundërshtarë gjatë natës.
Pas mesnatës, pranë hotelit ku është akomoduar përfaqësuesja turke janë dëgjuar shpërthime fishekzjarrësh dhe disa brohoritje nga tifozët vendas i Kosovës.

Qëllimi ishte i qartë: të prishej qetësia e ekipit mysafir dhe të rritej presioni para sfidës vendimtare që zhvillohet sonte (e martë), me fillim nga ora 20:45.
Ngjarja ka krijuar shumë diskutime në rrjetet sociale, ku tashmë videot e fishekzjarrëve kanë filluar të shpërndahen në të gjitha mediat.
Pavarësisht kësaj nate të trazuar, mbetet për t’u parë se si do të ndikojë kjo situatë në paraqitjen e Turqisë në fushë, në një përballje ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.
Ndërkohë, në “Fadil Vokrri” gjithçka është gati për një mbrëmje historike, ku pritet një atmosferë elektrizuese dhe një duel i zjarrtë për një vend në Kupën e Botës 2026. /Telegrafi/






