Autoritetet serbe kanë zbuluar një rast të tregtisë së paligjshme me mallra akcize, ku është sekuestruar një sasi e konsiderueshme duhani pa dokumentacion përkatës.
Sipas njoftimit zyrtar, pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, konkretisht Drejtoria e Policisë Kriminale – Shërbimi për Shtypjen e Krimit, në bashkëpunim me Policinë e Vranjës dhe Qendrën Rajonale të Policisë Kufitare me Maqedoninë e Veriut, kanë ndërmarrë aksionin që çoi në zbulimin e rastit.

Me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike në Vranjë, do të iniciohet procedim penal ndaj S.V. (36) nga Bujanoci, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të tregtisë së paligjshme.
Gjatë kontrollit të banesës dhe objekteve ndihmëse që i dyshuari përdorte, policia ka gjetur dhe sekuestruar rreth 120 kilogramë duhan të prerë, i cili nuk kishte pulla akcize të Republikës së Serbisë dhe as dokumentacion që vërtetonte origjinën e tij.
Autoritetet vlerësojnë se me këtë aktivitet të paligjshëm, buxheti i shtetit është dëmtuar për rreth 1.320.000 dinarë (afërsisht 11.300 euro).
Hetimet lidhur me rastin janë në vijim.




