“Lëvizja është çelësi për nyje të shëndetshme”, ortopedi Muharrem Hajdari në “Shëndeti në rend të parë”

shendetesi

Problemet ortopedike janë ndër shqetësimet më të shpeshta shëndetësore, sidomos kur lidhen me dhimbjen e nyjeve, shputës, gjurit, kërdhokullës apo shtyllës kurrizore. Por jo çdo problem ortopedik duhet të përfundojë me operim, ndërsa trajtimi i duhur, fizioterapia dhe lëvizja e rregullt mund të luajnë rol të rëndësishëm në ruajtjen e lëvizshmërisë dhe cilësisë së jetës. […]

Madhësia e shkronjave

Problemet ortopedike janë ndër shqetësimet më të shpeshta shëndetësore, sidomos kur lidhen me dhimbjen e nyjeve, shputës, gjurit, kërdhokullës apo shtyllës kurrizore. Por jo çdo problem ortopedik duhet të përfundojë me operim, ndërsa trajtimi i duhur, fizioterapia dhe lëvizja e rregullt mund të luajnë rol të rëndësishëm në ruajtjen e lëvizshmërisë dhe cilësisë së jetës.

Për këto tema ka folur Muharrem Hajdari, specialist i ortopedisë, në episodin e 84-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit “Kubati”.

Në këtë episod, ai foli për problemet më të shpeshta ortopedike, trajtimin e artrozës, protezat e gjurit dhe kërdhokullës, kirurgjinë e shputës, dhimbjet e thembrës, këpucët te fëmijët, kolagjenin, fizioterapinë dhe teknikat moderne minimale invazive.

Duke folur për problemet më të shpeshta ortopedike që has te pacientët, Hajdari tha se përjashtuar traumat, ndër shqetësimet kryesore janë artrozat, pra sëmundjet degjenerative të artikulacioneve.

“Problemet më të shpeshta ortopedike, po e lëmë traumën nga ortopedia, këtu janë artrozat”, tha ai.

Sipas Hajdarit, trajtimi i artrozës duhet të fillojë gjithmonë me metoda konservative dhe vetëm nëse është e nevojshme të përfundojë me ndërhyrje kirurgjikale.

Ai theksoi se jo çdo artrozë duhet të operohet, duke shtuar se operimi duhet të shihet si zgjidhja e fundit.

“Jo çdo artrozë duhet të operohet. Operimi është zgjidhja e fundit”, tha Dr. Hajdari.

Një mesazh i rëndësishëm i ortopedit ishte që pacientët të mos e ndërpresin trajtimin në momentin kur u ndalet dhimbja.

Sipas tij, shpesh ndodh që pacientët e ndërpresin fizioterapinë apo ushtrimet sapo ndihen më mirë, por kjo mund të jetë gabim, sepse sëmundja mund të vazhdojë edhe në heshtje.

“Rëndësi të madhe ka edhe fizioterapia, ushtrimi, gjimnastika. Ato nuk duhet të ndërpriten”, tha ai.

Një pjesë e madhe e bisedës iu kushtua edhe endoprotezave, veçanërisht protezave të gjurit dhe kërdhokullës, si dhe ndërhyrjeve revizionuese.

Hajdari shpjegoi se revizioni është më kompleks se vendosja e protezës për herë të parë, pasi mund të ketë dëmtim të indit kockor, infeksione apo dezintegrim të protezës.

Megjithatë, ai tha se këto ndërhyrje realizohen edhe në Kosovë, ndërsa teknikat dhe implantet që përdoren janë të krahasueshme me ato në vendet evropiane.

“Pacienti duhet të sqarohet nga fillimi deri në mbarim, t’i hiqet frika”, tha ai.

Në podcast u fol edhe për problemet e shputës. Hajdari, i certifikuar në Gjermani si kirurg i shputës, tha se dhimbjet e shputës nuk duhet të neglizhohen, sidomos kur shfaqen gjatë qëndrimit në këmbë apo në qetësi.

“Në pjesën më të madhe nuk duhet të neglizhohen dhimbjet e shputës, në qoftë se ka dhimbje gjatë qëndrimit në këmbë ose më tepër gjatë qetësisë”, tha ai.

Ai përmendi deformimet e pjesës së përparme të shputës, përfshirë Hallux valgus, që shpesh njihet nga qytetarët si “gunga” te gishti i madh i këmbës.

Sipas tij, ky deformim është zakonisht gjenetik dhe prek më shpesh gratë, ndërsa këpucët e ngushta dhe takat e larta mund ta përkeqësojnë gjendjen.

Një këshillë e veçantë e Hajdarit ishte për prindërit: të mos u japin fëmijëve këpucë të përdorura nga fëmijë të tjerë.

Hajdari foli edhe për dhimbjen e thembrës, sidomos ajo që shfaqet në mëngjes.

Hajdari tha se kjo gjendje, e njohur si plantar fasciitis, zakonisht trajtohet në mënyrë konservative, me fizioterapi dhe ushtrime të thjeshta.

Ai këshilloi qytetarët që të mos nxitohen drejt injeksioneve apo suplementeve të ndryshme, veçanërisht kolagjenit, i cili sipas tij është bërë shumë i popullarizuar në Kosovë dhe rajon.

“Le t’u ikin injeksioneve, le t’u ikin tabletave të kolagjenit”, tha ai.

Duke folur për kolagjenin, Hajdari u shpreh se në aspektin ortopedik ai është i panevojshëm për pjesën më të madhe të sëmundjeve.

“Dëm nuk bën, por nuk ndihmon”, tha ai.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”: