Enis Bardhi: Gati për të udhëhequr Maqedoninë drejt një rezultati të madh

Një sfidë e madhe dhe me peshë historike e pret përfaqësuesen e Maqedonisë sonte në Kopenhagë, aty ku do të përballet me Danimarkën në një ndeshje që mund të shënojë një tjetër kapitull të artë për futbollin vendas. Në një atmosferë të zjarrtë dhe pë...

Sport

Një sfidë e madhe dhe me peshë historike e pret përfaqësuesen e Maqedonisë sonte në Kopenhagë, aty ku do të përballet me Danimarkën në një ndeshje që mund të shënojë një tjetër kapitull të artë për futbollin vendas. Në një atmosferë të zjarrtë dhe përballë një kundërshtari të fortë, Maqedonia hyn me besim, vendosmëri dhe synimin e qartë për të arritur një rezultat të madh, njofton Telegrafi.

Përzgjedhësi Goce Sedloski dhe kapiteni i përfaqësueses së Maqedonisë, Enis Bardhi, para përballjes ndaj Danimarkës, kanë theksuar se skuadra hyn në këtë sfidë me seriozitet maksimal, por edhe me besim të plotë në cilësitë dhe shpirtin ekipor.

“Ky është një moment i madh për të gjithë ne. Kemi mundësinë të luftojmë për një vend në Kampionatin Botëror dhe ky është një motiv që bashkon të gjithë vendin. Danimarka është një kundërshtar cilësor dhe i respektuar, por edhe ne jemi këtu me meritë. Na mungojnë disa futbollistë, por kjo nuk e ndryshon qasjen tonë. Danimarka është e fortë, por ne jemi të fokusuar te loja jonë. Në ndeshje të tilla vendosin detajet dhe besoj se kemi çfarë të tregojmë. Falënderim për tifozët për mbështetjen, ajo na jep forcë shtesë”, ka thënë Goce Sedloski.

Edhe kapiteni i përfaqësueses së Maqedonisë, Enis Bardhi, para përballjes ndaj Danimarkës ka thënë se atmosfera në skuadër është në nivel të lartë.

“I kemi analizuar mirë të gjitha detajet dhe jemi përgatitur maksimalisht. E dimë kundër kujt luajmë dhe çfarë na pret, por kemi edhe armët tona. Nga ndeshjet e kaluara kemi nxjerrë mësime të rëndësishme që na kanë ndihmuar të përmirësohemi si ekip. Në ndeshje të tilla motivimi nuk mungon kurrë. Nënvlerësimi vetëm na motivon më shumë. Mbështetjen e tifozëve e ndiejmë gjithmonë dhe do të japim gjithçka për t’i bërë krenarë”, ka thënë Bardhi.

Fillimi i ndeshjes në Kopenhagë është caktuar për orën 20:45. Të gjitha biletat në stadiumin “Parken” janë shitur, kapaciteti është për 38 mijë shikues, ndër ta do të jenë rreth një mijë tifozë nga Maqedonia. Fituesi i këtij dueli, në finalen e Play-Off-it më 31 mars, do të përballet me fituesin nga dueli Çeki – Irlandë. /Telegrafi/