Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, i kanë dërguar mesazhe urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas rizgjedhjes së tij në këtë post, duke riafirmuar njëkohësisht mbështetjen për integrimin evropian të vendit dhe dialogun me Serbinë.
Në letrën e tij, Macron e përgëzon Kurtin për vazhdimin e mandatit.
“Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta për rizgjedhjen tuaj në postin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Macron dërguar Kurtit në muajin shkurt.

Ai thekson se Franca do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në proceset kyçe ndërkombëtare, veçanërisht në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Franca do të vazhdojë të mbështesë pa u lodhur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur presidenti francez.
Në të njëjtën linjë, kancelari gjerman Friedrich Merz ka dërguar një telegram urimi, duke vlerësuar përvojën e Kurtit dhe rolin e tij në proceset integruese.
Merz thekson rëndësinë e vendimeve që lidhen me të ardhmen euro-atlantike të Kosovës:
“Jam i bindur se me përvojën tuaj do të merrni vendimet e duhura dhe të nevojshme për integrimin e mëtejshëm euro-atlantik të Kosovës”, ka shkruar Merz në letrën e tij dërguar Kurtit.
Ai nënvizon gjithashtu rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Këtu përfshihen edhe përparime të mëtejshme në dialogun për normalizim të ndërmjetësuar nga BE-ja me Serbinë”, u shpreh Merz.
Në fund, Merz siguron se Gjermania do të mbetet një partner i fuqishëm për Kosovën.
“Kosova ka në Gjermani një partner të fortë dhe të besueshëm”, thuhet mes tjerash në letrën e kancelarit gjerman.
Dy mesazhet nga Parisi dhe Berlini përçojnë një qëndrim të përbashkët të mbështetjes së vazhdueshme për Kosovën, thellim të bashkëpunimit dhe shtytje përpara të proceseve integruese dhe dialogut me Serbinë. /Telegrafi/








