Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, u fishkëllua gjatë një lutjeje në një xhami në Sydney që ishte organizuar për përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Albanese dhe ministri i Punëve të Brendshme, Tony Burke, vizituan xhaminë Lakemba – një nga më të mëdhatë në Australi – pas ftesës së udhëheqësve të komunitetit musliman për të marrë pjesë në lutjet e Eid al‑Fitr të premten në mëngjes, sipas kohës lokale.
Disa nga të pranishmit akuzuan kryeministrin dhe ministrin se mbështesin “gjenocidin”. Protesuesit i fishkëllyen atyre dhe u kërkuan që të largoheshin nga xhamia. Brenda komunitetit musliman në Australi ka pakënaqësi të thellë për shkak të mënyrës se si qeveria ka reaguar ndaj luftës në Gazë.

Një burrë që po bërtiste ndaj Albanese u largua nga xhamia nga policia, por më vonë u lirua pa asnjë akuzë dhe iu tha të largohej.
Kryeministri u largua duke kaluar mes turmës, ndërsa disa persona vazhduan të bërtisnin ndaj tij. Një protestues tha “Pse ai është këtu? Nxirrni jashtë! Turp”.
Pak çaste pasi u përmbyll ngjarja, Shoqata Myslimane Libaneze, që administron xhaminë, publikoi një njoftim duke theksuar se Albanese ishte mirëpritur për lutje.
Ata thanë se e kuptojnë emocionin e lartë për shkak të vuajtjeve të vazhdueshme në Gazë dhe shkatërrimeve në Liban, por theksuan se takimi me udhëheqësit e zgjedhur është mënyra për t’u dhënë zë shqetësimeve të komunitetit, jo për ta tradhtuar atë.
Albanese deklaroi më pas se shumica e 30 mijë besimtarëve e pranuan mirë dhe se reagimi ishte kryesisht shumë pozitiv. Ai sugjeroi se reagimi negativ i disa protestuesve kishte lidhje me vendimin më të fundit të qeverisë së tij për të ndaluar organizata ekstremiste si Hizb ut‑Tahrir, të cilat janë kritikuar për lavdërimin e terrorizmit.
Raportet thonë se incidentet anti‑semite dhe islamofobe janë rritur në Australi që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe që nga ofensiva izraelite në Gazë. Përplasjet dhe tensionet rreth politikës së qeverisë australiane lidhur me konfliktin kanë nxitur kritika në disa komunitete. /Telegrafi/





