Shtetet e Gjirit raportuan sulme të reja me raketa dhe dronë të dielën, pasi Teherani kërcënoi të zgjeronte fushatën e tij dhe bëri thirrje për evakuimin e tre porteve kryesore në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Bahreini, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe paralajmëruan njerëzit se po punonin për të kapur predhat që vinin, një ditë pasi Irani bëri thirrje për evakuimin e porteve, duke kërcënuar për herë të parë asetet jo-amerikane të një vendi fqinj.
Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite tha se sistemet e saj kanë kapur dhe shkatërruar 10 dronë mbi kryeqytetin, Riad, dhe rajonin lindor të mbretërisë.
Bahreini tha se kishte kapur 125 raketa dhe 203 dronë që nga fillimi i sulmeve të Iranit, të cilat kanë vrarë dy persona në mbretëri dhe 24 të tjerë në vendet fqinje të Gjirit.
Garat e Formula 1 të planifikuara për në prill në Bahrein dhe Arabinë Saudite janë anuluar për shkak të konfliktit, njoftoi organi drejtues i sporteve motorike, transmeton Telegrafi.
Të shtunën, tymi u pa të ngrihej nga drejtimi i një instalimi të madh energjetik të Emirateve të Bashkuara Arabe, disa orë pasi SHBA-të goditën ishullin Kharg.
Autoritetet lokale, në një deklaratë, thanë se mbeturinat që ranë pas një përgjimi të suksesshëm të një droni kishin shkaktuar zjarr, pa specifikuar vendndodhjen.
Irani kishte akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përdorin “porte dhe vende strehimi” në Emiratet e Bashkuara Arabe për të nisur sulme në ishullin Kharg, ku ndodhet terminali kryesor që merret me eksportet e naftës së Iranit, pa dhënë prova.
Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendet e tjera të Gjirit që strehojnë bazat amerikane, kanë mohuar se kanë lejuar që toka ose hapësira e tyre ajrore të përdoret për operacione ushtarake kundër Iranit.
“Kjo pasqyron një politikë të hutuar që nuk e kuptoi qëllimin, humbi drejtimin e saj dhe i mungonte mençuria”, shkroi Anwar Gargash, këshilltar i presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në mediat sociale të shtunën vonë.
Ndërsa ankthi global rritet për çmimet dhe furnizimet e naftës, presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të shtunën se shpreson që Kina, Franca, Japonia, Koreja e Jugut, Mbretëria e Bashkuar dhe të tjerë do të dërgojnë anije luftarake për të mbajtur Ngushticën e Hormuzit “të hapur dhe të sigurt”.
Britania në përgjigje tha se po diskutonte me aleatët një “gamë opsionesh” për të siguruar transportin detar.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, në një postim në rrjetet sociale u bëri thirrje fqinjëve të “dëbojnë agresorët e huaj” dhe e përshkroi thirrjen e Trump si “lypje”.
Të shtunën, komanda ushtarake e Iranit përsëriti kërcënimin e saj për të sulmuar “infrastrukturat e naftës, ekonomisë dhe energjisë” të lidhura me SHBA-në në rajon nëse goditet infrastruktura e naftës e Republikës Islamike.
Ndërkohë, sulme ajrore u dëgjuan mbi Izrael dhe Iran gjatë natës, ndërsa të dy vendet vazhdojnë të shkëmbejnë sulme, ndërsa në Liban u raportuan përleshje të drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Hezbollahut.
Pavarësisht bombardimeve të rënda që kur forcat amerikano-izraelite nisën një luftë kundër Iranit më 28 shkurt, Teherani ka sfiduar pohimin e Trump se aftësia e tij ushtarake është shkatërruar “100%”.
Sulmet dhe kërcënimet e Iranit kanë ndaluar pothuajse transportin detar në Ngushticën e Hormuzit, duke rritur çmimet e naftës me 40 përqind dhe duke tronditur ekonominë globale.
Më shumë se 1,200 njerëz janë vrarë nga sulmet amerikane dhe izraelite, sipas shifrave të ministrisë iraniane të Shëndetësisë që nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Ushtria amerikane ka humbur 13 persona. Ato përfshijnë gjashtë persona në bordin e një avioni furnizimi me karburant që u rrëzua në Irak, një incident që zyrtarët amerikanë thanë se nuk ishte rezultat i zjarrit armiqësor apo miqësor.
Agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se deri në 3.2 milionë njerëz janë zhvendosur në Iran, shumica e të cilëve kanë ikur nga kryeqyteti dhe qytete të tjera për të kërkuar siguri.
Pentagoni thotë se më shumë se 15,000 objektiva në Iran janë goditur nga forcat amerikane dhe izraelite.
Media amerikane raportoi se Pentagoni ka dërguar anijen amfibe sulmuese USS Tripoli dhe rreth 2,500 marinsa në rajon. /Telegrafi/
