Ministri Nenad Rashiq ka folur së fundmi për mediumin lokal serb, Radio Gorazhdevci, duke komentuar marrëdhëniet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit.
Rashiq tha se gjatë kohës ka pasur kundërshtime me kryeministrin, por ka theksuar se Kurti ka vepruar sipas ligjit dhe për arsyet që lidhen me procesin e integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Ai ka përmendur veçanërisht rastin e Manastirit të Deçanit si pjesë të zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Arlind Maxhuka, ka reaguar lidhur me këto komente, duke sqaruar se vendimi për zbatimin e aktgjykimit ishte pjesë e kërkesave të Këshillit të Evropës gjatë procesit të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë në vitin 2024.
“Zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është bërë vetëm në kuadër të anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe për asgjë tjetër”, ka theksuar Maxhuka.
