Vizitori kapet me telefona të kamufluar gjatë hyrjes në Dubravë, ndërhyn Policia

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se është parandaluar futja e kontrabandës në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

Sipas njoftimit, gjatë një kontrolli rutinor të një vizitori, zyrtarët korrektues kanë gjetur të kamufluara në trupin e tij dy telefona mobilë të tipit iPhone dhe dy kartela SIM, të cilat janë konfiskuar menjëherë.

Për rastin është njoftuar Policia e Kosovës, ndërsa vizita është anuluar.

Autoritetet kanë bërë të ditur se ndaj personit në fjalë janë ndërmarrë veprimet përkatëse në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Shërbimi Korrektues i Kosovës theksoi se do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe zbatim rigoroz të masave të sigurisë, me qëllim parandalimin e veprimeve të kundërligjshme dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë në institucionet korrektuese.