Real Madridi ka konfirmuar zyrtarisht se Nico Paz do të vazhdojë të jetë pjesë e Comos edhe gjatë sezonit 2026/27, ndërsa klubi spanjoll ka siguruar të drejtën për ta rikthyer mesfushorin argjentinas në verën e vitit 2027.
Në njoftimin e publikuar nga “Los Blancos” bëhet e ditur se marrëveshja është arritur mes Real Madridit, Comos dhe vetë lojtarit, me vendimin që të qëndrojë në Itali të jetë marrë me kërkesën e tij.
“Real Madrid, Como 1907 dhe Nico Paz kanë arritur marrëveshje që lojtari të vazhdojë te klubi italian edhe për sezonin 2026/27. Kjo marrëveshje është bërë me kërkesën e vetë lojtarit dhe parashikon që Real Madridi të ruajë të drejtën e njëanshme për ta rikthyer atë për sezonin 2027/28”, thuhet në komunikatën e klubit madrilen.
Sipas marrëveshjes mes dy klubeve, Como do të blejë edhe 50 për qind të mbetur të kartonit të lojtarit për një shumë prej 60 milionë eurosh.
Megjithatë, Real Madridi nuk ka hequr dorë nga talenti 21-vjeçar dhe ka vendosur një klauzolë rikthimi, e cila do të jetë e vlefshme vetëm gjatë verës së vitit 2027.
Nëse vendos ta aktivizojë, klubi spanjoll do ta rikthejë Nico Pazin për 80 milionë euro.
Mesfushori argjentinas zhvilloi një sezon shumë të mirë me Comon në Serie A, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës italiane. /Telegrafi/






