KF Dukagjini ka zyrtarizuar rikthimin e Armend Dallkut në pozitën e kryetrajnerit të skuadrës.
Klubi nga Klina ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me Dallkun, i cili rikthehet edhe një herë në krye të ekipit bardhekaltër, duke nisur një kapitull të ri me skuadrën.

Dallku është një emër i njohur për KF Dukagjinin dhe futbollin kosovar, ndërsa rikthimi i tij përfaqëson një hap të rëndësishëm në vazhdimësinë e projektit dhe ambicieve sportive të klubit.
KF Dukagjini beson se përvoja, profesionalizmi dhe përkushtimi i Dallkut do të jenë vlera të rëndësishme në arritjen e objektivave të skuadrës dhe në zhvillimin e mëtejshëm të ekipit.
Ndërkohë, klubi ka bërë të ditur edhe përbërjen e stafit teknik që do të punojë së bashku me kryetrajnerin Dallku, sikurse në të kaluarën.
Pjesë e stafit do të jenë ndihmëstrajnerët Artan Luzi dhe Agon Ramadani, si dhe trajneri i portierëve, Rinor Xhemaj.
Me këtë përbërje të stafit, Dukagjini synon të krijojë një ambient profesional dhe stabil, duke u mbështetur në përvojën dhe përkushtimin e secilit anëtar të ekipit teknik.
KF Dukagjini i ka uruar shumë suksese Armend Dallkut dhe stafit të tij në këtë kapitull të ri me klubin nga Klina. /Telegrafi/





