Arijon Ibrahimovic ka bërë hapin e radhës në karrierën e tij, duke u transferuar te Augsburg nga Bayern Munich.
Klubi gjerman ka zyrtarizuar të martën huazimin e 20-vjeçarit, ndërsa marrëveshja mes dy klubeve përfshin edhe opsionin e blerjes në fund të periudhës së huazimit.

Ibrahimovic, i cili konsiderohet një nga talentet më të mëdha me prejardhje nga Kosova, do të mbetet kështu në elitën e futbollit gjerman, ku pritet të ketë një rol të rëndësishëm te Augsburg.
Sezonin e kaluar, mesfushori ofensiv ishte i huazuar te Heidenheim, ku zhvilloi 34 ndeshje zyrtare, duke realizuar dy gola dhe duke kontribuar me pesë asistime.
Ibrahimovic është shprehur i emocionuar për sfidën e re, duke e konsideruar Augsburgun si klub ambicioz..
“Detyra e re në Augsburg më tërheq shumë, sepse FCA është një klub ambicioz i Bundesligës. Edhe unë dua të vazhdoj të zhvillohem dhe të kem sa më shumë minuta lojë”, ka thënë ai.
Ibrahimovic, i lindur në Gjermani dhe me prejardhje kosovare, ka kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e përfaqësueseve të Gjermanisë dhe aktualisht është pjesë e Kombëtares U21.
Megjithatë, emri i tij prej kohësh është përmendur si një nga futbollistët që mund t’i bashkohet Kosovës në të ardhmen. /Telegrafi/





