Veprimtari Ibrahim Kelmendi ka rrëfyer detaje nga njohja dhe bashkëpunimi i tij me Jusuf Gërvallën, raportet mes Gërvallës dhe Kadri Zekës, si dhe takimin e 16-17 janarit 1982, pak para vrasjes së tyre.
Në intervistën ekskluzive për emisionin “Debat Plus”, në kuadër të ciklit “Dosjet”, Kelmendi ka folur fillimisht për kontributin e Gërvallës në gazetën “Bashkimi”, ndonëse ai i përkiste një organizate tjetër.
Sipas Kelmendit, ky bashkëpunim ishte dëshmi se në atë periudhë çështja kombëtare vendosej mbi interesat e ngushta të organizatave. Ai tha se Gërvalla ishte kërkuar për ndihmë për përgatitjen e gazetës, pasi organizata nuk kishte kuadër të mjaftueshëm.
“Ky ishte një fenomen mrekullues nga ana e Jusufit, të cilin e kemi mirëprit dhe e kemi lut të na ndihmonte, meqë nuk kishim kuadër për të përgatit gazetë. Pra, siç u përgjigja më herët, ishte rast i parë, unik, që dëshmon se prioritet kishim çështjen kombëtare, e jo interesat e ngushta të organizatave që u takonim. Bile, të mos keqkuptoheshim se po garojmë kundër LNÇKVSHJ-së, në janar 1981 e ngrimë veprimtarinë e FKP-së, edhe botimin e “Bashkimit”, sepse donim të përshpejtojmë bashkimin e organizatave.”

Kelmendi sqaroi më tej se Gërvallën e kishte njohur në fund të vitit 1979, ndërsa Kadri Zekën më 5 prill 1981. Ai tregoi se ishte pikërisht Gërvalla ai që e kishte dërguar në Zvicër për ta takuar Zekën.
“Jo. Jusufin e kam njohur në fund të dhjetorit 1979, Kadriun më 5 prill 1981. Që ta takoja Kadriun në Zvicër me dërgoi Jusufi, më 3 prill 1981, por takimi me Kadriun ndodhi më 5 prill 1981, sepse nuk kisha si ta informoja që të premten pasdite, të 3 prillit, isha shkua të Libraria në Bil. Besoj, Jusufi do të ishte shkuar vet, nëse do të kishte dokument udhëtimi. As ai nuk kishte adresë konkrete të Kadriut, pos adresës kontaktuese te libraria e enveristit zviceran Beat Schaffer, në Biel të Zvicrës. Ajo adresë ishte e publikuar në organin “Liria”, që lexuesit të dërgonin letra.”
I pyetur nëse e dinte se si ishin njohur Gërvalla dhe Zeka, Kelmendi tha se nuk kishte kërkuar të dinte detaje të tilla. Ai e lidhi këtë me faktin se Gërvalla nuk kishte adresë konkrete apo numër telefoni të Zekës.
“Nuk e di, nuk kam pasur kureshtje, prandaj nuk i kam pyet. Por, nga mënyra si pat ndodh takimi im me Kadriun, le të kuptohet se Jusufi nuk kishte adresë as numër telefoni të Kadriut, përndryshe nuk do të kisha nevojë të prisja në atë librari, nga e premtja pasdite deri te dielën rreth mesdite.”
Duke folur për marrëdhëniet mes Gërvallës dhe Zekës, Kelmendi tha se ata kishin qenë shokë të ngushtë deri në tetor 1981. Sipas tij, më pas kishte pasur një ndërprerje rreth dy-mujore të bashkëpunimit, të cilën ai e lidhi me atë që e cilësoi si “komplot të Sabri Novosellës”.
Kelmendi tha se Gërvalla kishte shprehur pakënaqësinë e tij ndaj Zekës edhe në “Zërin e Kosovës” dhe në një letër që ia kishte dërguar më 15 janar 1982. Megjithatë, ai pretendon se ndërmjetësimi i tij kishte çuar në pajtimin e tyre.
Në rrëfimin e tij, Kelmendi përmendi edhe një rast kur Gërvalla e kishte akuzuar se kishte urdhëruar që 100 kopje të “Zërit të Kosovës” të hidheshin në mbeturina. Sipas Kelmendit, kjo akuzë ishte rezultat i dezinformimit, ndërsa pas një sqarimi nga kryetari i Klubit Shqiptar, Hyzri Reka, Gërvalla kishte pranuar se ishte informuar gabimisht.
Kelmendi tha se pas këtij pajtimi ai besonte se UDB-ja mund të ishte shqetësuar nga forcimi i veprimtarisë së tyre.
Ai rrëfeu edhe për një zënkë aksidentale me Gërvallën në Mynih në vitin 1980, kur, sipas tij, Gërvalla kishte menduar se Kelmendi dhe bashkëveprimtarët e tij kishin ardhur për ta survejuar.
“Deri më 14 tetor 1981 Jusufi e Kadriu ishin shokë të ngushtë, sa që u bëra paksa xheloz. Komploti i Sabri Novosellës më 14 tetor 1981 pat imponua ndërprerje rreth dy-mujore të bashkëpunimit dhe bashkëveprimtarisë mes Jusufit e Kadriut. Për përmasat e të ashtuquajturit konflikt mund të informoheni nga “Zëri i Kosovës”, numri i parë, organ i LNÇKVSHJ-së, i botuar në nëntor 1981. Aty Jusufi e ka shpreh mllefin e tij kundër Kadriut. E ka shpreh edhe në letrën që Jusufi ma ka postuar më 15 janar 1982, dy ditë para vrasjeve. Fatmirësisht pat sukses ndërmjetësimi im, sepse ishte gjendje e hidhërimit emocional. Pothuajse secili pjesëmarrësi po e kuptonte që Jusufi ishte i mllefosur, sepse rrinte i ngrysur, në fund të sallës së dasmës se Kadriut me Saime Isufin, e cila qe bërë më 2 maj 1982 në një shtëpi malore, pronë e komunës së Bielit. Biseduam goxha gjatë dhe, pasi u bën sqarime të bollshme për luftën speciale, diversioniste, të UDB-së, e përmbyllëm bisedën me pajtim të Jusufit me Kadriun. Për konkretizim, po rrëfej një fragment konkretizues të luftës speciale. Jusufi më akuzoi se 100 copë të “Zërin të Kosovës”, të cilat Bardhoshi ia kishte postuar Klubit shqiptar në Dyseldorf, kisha urdhëruar të hidhej në mbeturina. Unë nuk kisha fare informim përkatës.
Jusufit i thash se janë këtu dy veta, të cilët i dyshoj se të kanë dezinformuar. Janë pleqtë Zyber Kryeziu dhe Avdi Begisholli. Po i thërras ata që të ballafaqohemi. Apo ndoshta të mjafton Hyzri Reka, kryetar i Klubit, i cili do të informon si është trajtuar ZiK që e paskeni dërguar. Jusufi u përcaktua për informim nga Hyzriu, sepse u tremb mos po ndodh ndonjë zënkë me pleqtë. Meqë kishte dhoma ajo shtëpi, Hyzriu u shkëput nga dasmorët dhe në praninë time e informoi Jusufin: “Zërin e kemi lexuar pothuajse të terin në klub, meqë humë bashkatdhetarë nuk kanë shprehi leximi. Ua kemi dhanë bashkatdhetarëve t’i shpërndajnë në rrethe të tyre. I kam telefonuar Bardhit dhe e kam lut të na dërgonte sasi tjetër, meqë kishim kërkesa. Ibra në atë fundjavë nuk ka qenë fare në Klub dhe nuk kam pasur asfarë kërkese prej askujt, ta sabotojmë.” (përifrazim) Jusufit i mjaftoj ai sqarim. Kërkoj falje që u kishte besuar shpifëseve. I propozova të pyesim edhe ndonjë veprimtar në Zvicër, meqë e kishin dezinformuar se edhe Kadriu kishte urdhërua të hidhej ZiK në mbeturina.
Jusufi u mjaftua me informimin e Hyzriut. Fatkeqësisht në dasmë ka pasur edhe spiunë, meqë nuk ishim të vëmendshëm se të tillët penetrohen gjithandej. Ndonjëri prej tyre duhet të ketë informuar se gjatë dasme ka ndodh pajtimi, sepse panë që Jusufi filloi edhe të këndonte. Prandaj UDB-ja duhet të jetë përcaktuar për eliminim fizik, sepse trembej që po fuqizohej veprimtaria jonë. Unë kam pasur vetëm njëherë një zënkë aksidentale me Jusufin. Duhet të ketë ndodhur në fund të qershorit apo në fillim të korrikut 1980. Ndodhi në Munih (München). Atje Klubi “Rilindja” kishe mbledhje për zgjedhje të kryesisë se re. Bashkëveprimtarët në Munih na thirren tu shkonim në ndihmë. hkuam Haxhi Bega, Safat Azizi dhe dy shokë tjerë, emrat e të cilëve nuk po më kujtohen. Pasi mbledhjes se Klubit, Bali exhbogaj i Bllagajes se Pejës na ftoi t’i shkonim mysafirë, meqë kisha njohje, pasi ishte edhe farefis i Kunatës time, Sabrisë, gjithashtu nga Bllagaja. Duke parkuar para pallatit ku banonte Baliu, rastis të shohim duke parkuar para nesh Bardhoshin (Gërvalla). Sapo Jusufi doli nga auto, bërtiti: “Deri këtu keni ardhur për të më survejua sepse më pandehni për spiun UDB-e?!” U sqaruam pasi ia dolëm ta qetësojmë. Ata u ndodhen aty, sepse ishin ardhur për vizitë të Misin Mavrajt, i cili jetonte në të njëjtin pallat me Baliun.
Jusufi kishte një raport familjar me Misinin. Menjëherë Jusufi u bind se ne ishim aty të ftuar nga Baliu. Por, ishte reagim në afekt, sepse Jusufi ende nuk e kishte arkivuar traumën që ia pat shkaktuar ballafaqimi me Riza Salihun, në banesë të Hysen Gegës, në prill 1980, në Esslingen. Rizai e akuzonte Jusufin si të dërguar nga UDB-ja. Prandaj aty pat ndodhur ballafaqimi goxha tronditës. Ai takim rastësor në atë parking u përjetua, sikur unë isha ndikuar nga ai ballafaqim, për ta dyshuar Jusufin dhe për rrjedhojë isha aty për ta survejuar atë. Pas asaj zënke aksidentale shkova për vizitë pune në Turqi, ku qëndrova rreth një muaj ditë. Kur u ktheva e vazhduam komunikimin dhe bashkëpunimi me Jusufin. Për këtë dëshmon edhe letra që ma ka dërguar Jusufi në fillim të shtatorit 1980 dhe bashkëpunimi për përgatitje e botim të “Bashkimit”. Por, më përmbledhës për paraqitjen e marrëdhënieve mes nesh, është letra që Jusufi ma ka dërguar rekomandë, më 15 janar 1982, dy ditë para se të vritej. Po se sjell një fragment të saj: “I dashur shok Ibrahim, Me bisedën që patëm në dasmë, unë në njëfarë mënyre u tregova i padrejtë ndaj teje. Por, duhet ta kesh kuptuar që gjaknxehtësinë time mund ta zbrazja vetëm mbi një shok me të cilin nuk kemi pasur kufij. (…)”
Kelmendi foli edhe për versionet e ndryshme që, sipas tij, kanë qarkulluar për marrëdhëniet mes tij, Gërvallës, Sabri Novosellës dhe Kadri Zekës. Ai pretendoi se të tre kishin pasur bashkëpunim të ngushtë, ndërsa versionet kontradiktore, sipas tij, ishin rezultat i dezinformimeve.
“Ne tre kishim bashkëpunim e bashkëveprimtari të ngushtë, siç informova, do të thosha më të ngushtë se t’i takonim të njëjtës organizatë. Por, ndërkohë UDB-ja i ka angazhua myhypët e saj të shpifnin sa më shumë, në shumë versione, që të krijohet sa më shumë huti e mosbesim. Tashmë historianët e kanë pak më të lehtë t’i analizojnë e t’i përballin të gjitha versionet dhe të dalin me versioni sa më të saktë. Unë i kam ofruar rrëfimet për ato që kanë ndodhur, sipas përjetimeve të mija.”
Në pjesën e fundit të rrëfimit, Kelmendi foli gjerësisht për takimin e 16 janarit 1982, të cilin tha se e kishte organizuar Jusuf Gërvalla me bashkëveprimtarët e rrethit të Shtutgartit.
Sipas tij, Gërvallës sapo i kishin ardhur nga Tirana videokaseta me filma të Shqipërisë dhe ai kishte njoftuar Kelmendin dhe Kadri Zekën për mundësinë e shfaqjes së tyre.
Në mbrëmjen e 16 janarit, rreth 20 persona ishin mbledhur në banesën e Murat Kryziut. Pas shfaqjes së një filmi dhe një drame televizive, nisën diskutimet mes të pranishmëve.
Kelmendi tha se pas një pyetjeje provokuese drejtuar Kadri Zekës nga Nuhi Sylejmani, Gërvalla kishte ndërhyrë dhe takimi ishte ndërprerë.
Më pas, sipas tij, Gërvalla i kishte ftuar Kelmendin, Zekën dhe Sylë Nuhën në shtëpinë e familjes Gërvalla në Untergruppenbach.
Kelmendi rrëfeu se pas mbërritjes, pasi të tjerët shkuan për të fjetur, ai kishte mbetur vetëm me Gërvallën dhe Zekën. Sipas tij, pikërisht atëherë kishte nisur biseda që çoi në marrëveshjen për bashkimin e tri organizatave.
“Jusufi e ka organizua takimin e 16 janarit 1982. Më konkretisht, Ai, me bashkëveprimtar të rrethit të Shtutgartit, e kanë organizuar aktivitetin e 16 janarit 1982 dhe na ka ftuar të merrnim pjesë. Jusufit sapo i kishin ardhur nga Tirana videokaseta me filma të Shqipërisë. Ai më 15 janar 1982 na ka shkruar Kadriut dhe mua letra dhe na ka informuar që se shpejti do krijohej mundësia për t’i shfaq ata filma. Letrat i ka postuar të premten, ende pa e ditur se gjatë dite Bardhi kishte ble video dhe ishte marrë vesh me Murat Kryziun e bashkëveprimtarët tjerë, t’i shfaqnin të shtunën, në mbrëmje, në banesë të Muratit, meqë kishte odë të madhe. Murati banonte në afërsi të Aeroportit të Shtutagrtit (Stuttgart). Prandaj Jusufi, të shtunën e 16 janarit, në mëngjes, na ka informuar me thirrje telefonike, të shkonim në mbrëmje te Murati. Kadriu ishte ardh mysafir në Dyseldorf, të premten, më 15 janar 1982. Natën e kaluam mysafirë të Vezire e Sylë Nuha. Syla e huazoi auton nga tetovari Hysri Selimi, të na voziste Kadriun e mua deri te Murati. Kur arritëm, aty gjetëm rreth 20 veta.
Deri rreth mesnate pamë një film e një tv-dramë. Pastaj zumë të bisedojmë. Në ndërkohë Nuhi Sylejmani ia bëri një pyetje provokuese Kadriut. Për Nuhiun qysh në vitin 1978, nga kolegët e tij, isha informuar se ishte informator i UDB-së. Jusufi ndërhyri, sepse nuk i pëlqeu ai provokim nga Nuhiu, prandaj u ndërpre ai bashkëbisedim dhe ajo ndejë te Murati. Kur dolëm jashtë po bisedonim ku do shkonim Kadriu, Syla dhe unë mysafirë. Jusufi ndërhyri: “Zeqa, Ibra e Syla janë mysafirë tonë.” Meqë ishte ngricë e madhe dhe mjegull e dendur, mezi rritëm në shtëpi ku jetonin Gërvallët, në Untergruppenbach, rreth orës 3 të agimit të ditës se diel, 17 janar 1982. Gjetëm aty një mysafir të padëshiruar, nga Bllaca e Suharekës, i cili po flinte në kauç në odë, sepse nuk kishte pranuar të shkonte me fjet në “dhomën e Ibrahimit”, siç i thoshin Gërvallët në dhomën në katin e dytë, meqë ai donte t’i priste Vëllezërit Gërvalla.
Pas pak minutash Bardhi u përkujdes që ai mysafiri dhe Syla të sistemoheshin për të fjetur. Vendosi pije mbi tavolinë dhe kërkoj leje të shkonte me fjet. Mbetëm vetëm Jusufi, Kadriu dhe unë. Në dukje, si spontanisht, biseduam, si do të duhej ta koordinonim bashkëveprimtarin, siç e kishim dikur. Biseda rrodhi deri atje, sa të dakordohemi për bashkimin e tri organizatave tona, sipas miratimit që kishim arritur në korrik 1981. U dakorduam të bashkoheshim në organizatën me emër provizor, deri te mbahej kuvendi: Lëvizja për Republikën e Kosovës. Rreth orës 6 të mëngjesit u përcaktuam të flemë, duke u marrë vesh se pasi të kishim pushuar, të formulonim procesverbal e njoftim për bashkatdhetarë. Rreth orës 14 na kanë zgjuar për të drekuar. Vazhduam me çaj “rusi”, meqë Kadriu dhe Gërvallët e përdornin shumë.
Më thanë që unë ta shoqëroja Sylën, edhe sepse ishte mirë të isha në Klub në Dyseldorf për ta udhëheq diskutimin pasi ta shfaqnim tv-dramën “Gërsheta lufte”, dhe Jusufi e Kadriu të rrinin për t’i përgatit shkresat. U dakordova, edhe pse dëshiroja të isha me ta. Rreth orës 15 duhet të jemi nisur me Sylën. Rreth orës 24, duke qenë të shtrimë në shtrat në banesën e Hyzri Rekës, na erdhi lajmi i kobshëm për vrasjet. Ishte Haxhi Bega ai që na informoi dhe më tha se duhej të prisja aty, meqë Mustafë Mekaj, bashkë me mbesën e tij, Sabrinë, e cila ishte kunatë dhe bashkëveprimtar imja, do vinin me auto të më merrnin te shkonim te Gërvallët. Në mëngjes arritëm.
Tusha, Bashkëshortja e Bardhit, na informoi si kishin ndodhur vrasjet. Suzana ende ishte në spital në Heilbronn. Rreth orës 10 erdhën ata të SOKO-së se LKA e BW (shkurtesë për komisionin e formuar nga Enti republikan për kriminalistikë). Më “intervistuan” rreth dy orë. Shfaqa dy dyshime kryesore: për lëvizjen tonë të fundit, fizike, duhet të ketë informuar Nuhi Sylejmani. Ndërsa për vrasës potencial e konkretizova Riza Salihun, nëse nuk kishte alibi. Gjithë çfarë dija e çfarë u interesonte dy hetuesve që më pyesnin, u përgjigja sinqerisht, meqë mendoja se asgjë nuk duhej ta fshihja, as për hir të klandestinitetit e konspiracionit. Ende nuk dija për porosinë që duhej ta ketë thënë Jusufi i plagosur rëndë: “Nëse vrasësi është shqiptar, mos u zbuloftë asnjëherë!” Kështu na tha Suzana kur qe kthye nga spitali.” /RTVD/





